Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana ka mohuar pretendimet e Agron Shehajt se janë përjashtuar vëzhgues nga qendrat e votimit.
Në një deklaratë për mediat, Gjana tha se propozimet për komisioner të Shehajt janë rrëzuar në Komisionin e Zgjedhjeve sepse personat ose nuk kanë pasur kartë anëtarësie ose janë deleguar nga një degë në tjetrën.
Gjana tha se sipas kritereve të përcaktuara duhet që vëzhguesit dhe komisionerët të jenë anëtarë partie në zonën ku propozohen.
Vendet ku Agron Shehajt nuk i janë miratuar vëzhgues janë zëvendësuar mëngjesin e sotëm sipas Gjanës.
“Në orët e mëngjesit për llogari të kandidatit Shehaj janë marrë vendime dhe janë plotësuar me përfaqësues të tjerë Kruja, Lushnja, Kavaja, Maliqi, Shkodra, dhe në njësinë 5 në Tiranë”, dekaroi ai.
Agron Shehaj nuk ka komisionerë në zgjedhjet që po zhvillohen për kryetar në PD. Sa i përket kandidatëve të tjerë, Fatbardh Kadilli ka 56 komisionë nga 76 QV gjithësej ndërsa kandidatja Edit Harxhi ka 66 komisionerë. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka komisionerë të të gjithë qendrat e votimit.
Shehaj denoncoi se procesi i votimit në PD po kompromentohet pasi sipas tij ka parregullsi në lista dhe nuk po lejohen vëzhguesit të monitorojnë.
Jemin Gjana deklaroi se deri më tani kanë votuar 12,928 anëtarë ose 17.2 për qind e anëtarëve të PD.