Asambleja e Partisë Socialiste në Kavajë zgjodhi gjashtë kandidatë për Bashkinë e Kavajës —vend i mbetur bosh pas shkarkimit të Elvis Roshit i prekur nga ligjit i dekriminalizimit. Ndër këto kandidatë është edhe Silvana Daja, bashkëshortja e kreut të PS-së Kavajë Gentian Daja.
Pas këtij vendimi, Zoti Daja u dorëhoq nga drejtimi i PS në Kavajë me justifikimin e shmangies së konfliktit të interesit.
Pavarësisht vendimit të Zotit Daja, kjo zgjedhje tregon se Partia Socialiste po kthehet gjithmonë e më shumë në një parti private dhe familjare, e cila ngjan shumë me historinë e Perandorit Kaligola, perandori i tretë romak, i cili dëshironte të emëronte Senator të Romës kalin e tij Incitatus.
Marrëdhënia ndërmjet Elvis Roshi dhe Gentian Dajës është përtej politikës — ata kanë administruar bashkë një biznes.
Deri më vitin 2011, Elvis Roshi ka qënë administrator i kompanisë “Ergi Security” me pronar Gentian Dajën.
Zoti Roshi u dorëhoq nga detyra e administratorit pasi u zgjodh në krye të Bashkisë Kavajë dhe aktualisht firma administrohet nga Gentian Daja.
* * *
Gaio Giulio Cesare Germanico, i njohur si Kaligola, ka qenë perandor i Romës në vitet 37 deri në 41. Në moshë të re u emërua perandor. Falë familjes së tij dhe periudhës së kaluar në ushtri ai mori pëlqimin e të gjithëve. Por pasi u emërua perandor, Kaligola u kthye në një diktator.
Ai mbahet mend si një person me çrregullime mendore, agresiv, autokratik, narcizist dhe egocentrik, i cili nuk i jepte llogari askujt dhe e injoronte senatin.
Qeverisja e tij u karakterizua nga persekutime dhe kundërshti të brendshme, me vepra publike faraonike dhe të padobishme, me shfaqje të mëdha të propagandës publike dhe me shpërdorim të madh parash për të fituar pëlqimin e popullit.
Por më shumë ai mbahet mend për historinë me kalin e tij. Thuhet se ai emëroi senator të Romës kalin e tij të preferuar —me të cilin darkonte dhe dëfrehej — për t’i treguar senatorëve romak, të cilët nuk e fshihnin mosdakordësinë e tyre mbi mënyrën e qeverisjes, që Senati nuk kishte asnjë vlerë përpara Perandorit, me qëllimin përfundimtar për të kthyer rolin e perandorit — i cili në atë kohë duhet të përgjigjej përpara senatit për vendimet e tij —në një monarki absolute.
Periudhën e fundit të perandorisë së tij mendohet se ai donte të quhej Zot, por në fund përfundoi i vrarë nga rojet e tij.