Për të marrë leje ndërtimi në Tiranë një kompani duhet të paguajë një taksë, atë të infrastrukturës, të barabartë me 8 për qind të vlerës tregtare të ndërtesës që do të ndërtohet. Vlera tregtare tregohet në një tabelë e cila përcakton, në varësi të qëllimit të përdorimit dhe të zonës ku bëhet ndërtimi, se cili duhet të jetë çmimi minimal i llogaritur për metër katror sipërfaqe.
Vlera e shënuar e shitjes së ndërtesave që kanë marrë leje ndërtimi gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, në Tiranë është 16 miliardë lek, pra taksa që u pagua nga kompanitë e ndryshme duhet të jetë 1,25 miliardë lek, pak më shumë se 10 milionë euro. Kjo e dhënë është konfirmuar nga Ministria e Financave që në statistikat e saj tregon 1,3 miliardë lek të ardhura për Bashkinë Tiranë nga taksa e infrastrukturës. Pak a shumë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në tremujorët paraardhës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit 2016, stoku (totali i kredive ekzistuese) të kredisë për ndërtimin ishte 48,4 miliardë lek, ndërsa në fund të marsit 2017 ishte 47,2 miliardë lek, pra rreth 350 milionë euro—1,25 miliardë lek ose mbi 9 milionë euro rënie gjatë 6-mujorit.
Pra, në të njëjtën periudhë në të cilën jepeshin leje ndërtimi me një vlerë të përllogaritur mbi 200 milionë euro, dhe sipërmarrjet paguanin taksa bashkiake për rreth 20 milionë euro, kredia bankare e sektorit të ndërtimit (ajo e lëshuar për kompanitë, jo borxhet e atij që blen një banesë), në vend që të rritej me të paktën 80-100 milionë euro, sikurse duhet të ishte normalisht, ka rënë me afërsisht 10 milionë.
Të gjithë e dimë që sektori i kompanive të ndërtimit, në veçanti ato të mëdhatë, është i fryrë nga kredi bankare dhe ka prodhuar gjatë viteve të shkuara pjesën më të madhe të atyre 100 miliardë lek të kredive të këqija, nga 581 miliardë lek të kredisë totale për ekonominë, të cilat kanë pllakosur sistemin bankar shqiptar, ashtu sikurse dihet që të gjithë ndërtuesit shqiptarë janë të tejmbushur me kredi dhe inventar të madh banesash të pashitura.
Pamja kudo nëpër Tiranë, ashtu si në të gjitha qytetet e Shqipërisë, tregon shenja të dukshme të një tregu pronash të paluajtshme që nuk arrijnë të gjejnë një zhbllokim të sigurtë, ndërtesa të mëdha zyrash, edhe në qendër, bosh dhe të pambushura prej vitesh, hapësira tregtare në vendet më të mira fatkeqësisht bosh prej shumë muajsh, dhe prapë…..
Dhe prapë, me një këmbëngulje të denjë për kauzat më të mëdha, sektori i ndërtimit vazhdon të kërkojë leje, për të ndërtuar godina gjithmonë e më të mëdha e më luksoze, që me shumë gjasa do të mbesin bosh, dhe ende ia del të gjejë para për të paguar taksat dhe shpenzime të tjera të mëdha, paraprake, me qëllim që të marrë leje ndërtimi, pa iu drejtuar bankave për kredi, dhe natyrisht pa iu drejtuar burimeve të tjera të shoqërisë, të cialt janë fatkeqësisht të gjitha të shteruara si ato të pronarëve të tyre.
Ndërsa në qarkullim janë mesa duket shumë para (por në pak duar), në monedhë të huaj, në pikën sa leku është forcuar në lidhje me euron, (duke vënë në krizë industrinë përpunuese eksportuese, e cila është e dobët dhe pa marzhe të larta fitime). Por këto para nuk mund të përdoren kaq lehtë, sepse janë para të drogës. Por nëse i përdor për të paguar taksat, tani për tani, askush nuk të kërkon gjë.
Dhe nëse i përdor për të paguar në të zezë furnizuesit e kantierit të ndërtimit, e zhvendos problemin te të tjerët, por nëse bën klering me furnizuesit kryesorë lehtëson problemin dhe e zhvendos tek furnitorët; por shumë rrëke të vogla në fund bëjnë një lumë.
Dhe mo mendoni se këta riciklues janë të gjithë shumë të sofistikuar—ata mendojnë gjithmonë se kush ka para në dorë ka fituar, dhe nuk i bëhen shumë pyetje. Dhe kështu përfundojnë të gjithë të zhytur gjithnjë e më shumë në andrralla.
Nëse në Evropë kemi parë për vite “financën krijuese”, këtu do të shohim “ injorancën krijuese”, me bilance kompanish gjithnjë e më shumë irreale, të firmosur nga financierë të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, me pallate që vlejnë shumë miliona të ndërtuar me shumë pak shpenzime të dokumentuara. Por kjo do të krijojë fitime (virtuale) të mëdha, që prodhojnë një taksë të madhe që nuk do të paguhet kurrë sepse do të transferohet më fatura në fatura tek kompani periferike të destinuara për të dështuar dhe me pronarë të arratisur.
Një ciklon dokumentash fallco e borxhesh të vërteta, parash të vërteta e kompanish fallco, do të përpijnë qindra kompani të cilave nuk do t’u gjendet as emri. Ndërsa një sistem drejtësie i papërgatitur dhe i frikësuar, i cili nuk arrin të sekuestrojë as pasuritë të një krmineli me dënim përfundimtar në Itali, do të jetë e detyruar të shohë gjëra që nuk kupton dhe që nuk do t’i kuptojë, ndërsa inspektorët e taksave do të bëjnë festë sepse ata paguhen gjithmonë në kesh.
Por sa do të zgjasë kjo festë?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje ka të paktën dy qasje, ajo që niset nga paraja dhe ajo që niset nga shteti.
Qasja e parë mund të përmblidhet me pyetjen “sa para kanë narkotrafikantët për të investuar në Shqipëri?”, përgjigja e të cilës është dukshëm e varur nga ecuria e tregjeve ndërkombëtare, nga vazhdimësia e prodhimit bujqësor dhe nga burime të financimit nga jahstë, dhe nga kapaciteti logjistik për të transferuar produktin dhe ritranferuar në Shqipëri të ardhurat.
Qasja e dytë është e lidhur me konceptin e sovranitetit, me atë që qeveria shqiptare synon të bëjë dhe tolerancën e sistemit ndërkombëtar ndaj dukurisë së ricklimit në Shqipërinë (sovrane).
Prej kohësh, thuajse e gjithë bota nuk e pranon më që vende të vogla të shesin mundësi për evazion fiskal dhe për pastrim parash, dhe në fakt janë krijuar një sërë sistemesh “mbytësë” që kanë për qëllim të përjashtojnë nga qarkullimi bankar ndërkombëtar (dhe si rrjedhojë nga tregtia) sistemet e vendeve që nuk përshtaten më me ligjet ndërkombëtare në fushën fiskale, të shkëmbimit të informacionit dhe të ricklimit të parave, ose ato vende, si Shqipëria, që edhe pse e kanë përshtatur legjislacionin nuk e vënë atë në zbatim, ose e zbatojnë atë në një mënyrë paturpësisht përzgjedhëse.
Në këtë rast, përgjigjia e pyetjes është e thjeshtë: festa do të zgjasë për aq kohë sa sistemi ndërkombëtar do të gjykojë, edhe në bazë të një vlerësimi politik, se dukuria e pastrimit të parave në Shqipëri nuk përbën rrezik për ta apo nuk shërben si një rrjedhje e konsiderueshme nga sistemet e tyre të mbrojtjes dhe luftimit të krimit financiar.
Eksperienca thotë se paaftësia e zakonshme e qeverive shqiptare për të administruar dukuritë e paligjshme duke i mbajtur ato brenda kufijve (e demonstruar në rastin e emigracionit dhe kanabisit) do të prodhojë edhe një herë një situatë të përhapur të papërgjegjeshmërisë që do të nxisë pashmangshmërisht alarmin ndërkombëtar: sinjalet në botën e financave tashmë janë ndezur.