Qytetarët viktima të kartelit të kompanive të sigurimeve

Qytetarët viktima të kartelit të kompanive të sigurimeve

Para pak ditësh tarifat e sigurimit për palët e treta të automjeteve, njohur si primi TPL, u rritën me 25 për qind, në mënyrë të menjëhershme dhe nga të gjitha kompanitë e sigurimit njëkohësisht.

Këtë rritje kompanitë e shpjeguan me faktin që Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF)—autoriteti shtetëror që mbikqyr dhe rregullon sektorin financiar—këshilloi një nivel të rritur të tarifës minimale të siguracioneve, të njohur si primi i riskut.

AMF e konfirmoi dje këtë fakt, në një njoftim të shkrutër dhe të përgjithshëm për publikun, ku pohonte se kishte sugjeruar rritjen me 20 për qind të primit të riskut.

Këtë vendim, AMF e justifikoi me shtimin e numrit të aksidenteve, çka rrit koston e dëmeve që kompanitë e sigurimeve duhet të paguajnë, që për rrjedhojë kërkon rritjen e tarifës së paguar nga qytetarët për të siguruar shëndetin e kompanive siguruese. Rritja e sugjeruar për shkak të aksidenteve nga AMF është 13 për qind.

Pjesa tjetër e rritjes së këshilluar, prej 7 për qind, është justifikuar nga AMF më hyrjen në fuqi të taksës së re të sigurimeve në nivelin 10 për qind, nga 3 për qind që ishte deri tani.

AMF nuk ka dhënë ndonjë sqarim për rritjen e beftë dhe të pazakontë të aksidenteve të pretenduar prej saj. Ndërkohë as AMF dhe asnjë institucion tjetër nuk ka bërë publike ndonjë studim, vlerësim, analizë apo edhe statistika të detajuara të aksidenteve automobilistike.

Në këto kushte sugjerimi duket i dyshimtë në mos arbitrar.

Nga ana tjetër, këshillimi për rritjen e primit është i pajustifikuar për një arsye tjetër.

Në janar të vitit 2015 qeveria hoqi TVSH e sigurimeve, në masën 20 për qind, për të gjitha sigurimet e automjeteve, me qëllim përputhjen me standartin europian që zbaton vetëm taksë sigurimi dhe jo TVSH. Por edhe pse TVSH u hoq një vit më parë (dhe taksa e re e sigurimit nuk u zbatua deri këtë vit) çmimi i primit të sigurimit në treg nuk ndryshoi pothuajse fare, përjashto një ulje të lehtë prej 2-3 përqind.

Për më tepër, edhe pse barra e taksës së sigurimeve u ul, AMF nuk sugjeroi atëhere uljen e primit të riskut, sikurse tani po këshillon rritjen e tij.

AMF u duk e patrazuar nga mosreflektimi i uljes së taksave në uljen e çmimit dhe lejoi që të gjitha përfitimet nga ulja e TVSH-së (prej 20 për qind) të shkonin për kompanitë e sigurimit.

Në një qëndrim krejt të kundërt, tani që taksa e sigurimit por rritet nga 3 për qind në 7 për qind, AMF sugjeron që e gjithë kostoja e taksës t’i kalojë konsumatorëve, ndërkohë që edhe në një treg të lirë, pra ku konsumatorët nuk mbrohen nga entet rregullatore, një pjesë (të vogël) të kostos së taksës së rritur e mbajnë kompanitë.

Në mënyrë akoma më flagrante, edhe pse sugjerimi AMF-së ishte për rritje totale me 20 për qind të çmimit të siguracioneve, kompanitë në mënyrë të koordinuar kanë vendosur rritjen me 25 për qind të çmimit, pra edhe pesë pikë përqindje apo dhe 20 përqind më shumë nga sugjerimi i AMF-së.

Pse ndodhin të gjitha këto ndryshime në mënyrë të menjëhershme dhe të njejtë nga të gjitha kompanitë e sigurimeve?

Sepse sektori ynë i sigurimeve është një kartel i pastër, i cili vendos në marrëveshje mes të gjithë ofruesve çmimet në treg, në në shkelje të hapur të ligjit antimonopol dhe të konkurencës, të standarteve europiane dhe ndërkombëtare dhe të çdo parimi të tregut të lirë.

E gjithë kjo sjellje ka bekimin dhe mirëkuptimin e qeverisë e cila i ka shërbyer gjithmonë këtij karteli.

Me politikat që po ndjek dhe me indiferentizmin ndaj sjelljes oligopoliste të kompanive të sigurimit, AMF po dëshmon gjithashtu se është një institucion i kapur dhe në shërbim të kartelit të sigurimeve.

Për të kuptuar më mirë se sa absurd është vendimi i AMF-së, për të mos thënë veprim në shërbim të kartelit, mjafton të sillet një shembull domethënës.

Pak ditë para se AMF të kishte sugjeruar rritjen e tarifës, kompania UNIQA Albania (ish-Sigal) raportoi se fitimet e saj për 6-mujorin e parë 2016 ishin rritur me 30 për qind në 2,3 milionë euro nga 1,7 milion euro fitime në të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Pra, AMF deklaron që janë rritur aksidentet dhe për rrjedhojë kosto e kompanive të sigurimit ndaj duhen rritur çmimet e siguracioneve, ndërsa kompanitë e sigurimit deklarojnë se u është rritur fitimi me çmimet e tanishme.

Domethënia është e qartë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>