Komisioni Europian i ka bërë apel liderëve shqiptarë që të kthejnë sa më parë në punë Gjykatën Kushtetuese.
Përmes një deklarate për ABCNews, zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero-Hernandez theksoi se ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kërkesë që vendi duhet ta plotësojë para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare:
“BE inkurajon autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë me synimin për të rivendosur plotësisht funksionimin e saj. Kjo është gjithashtu një kërkesë e konkluzioneve të Këshillit të 25 Marsit 2020 para mbajtjes se konferencës së parë ndërqeveritare.”
Pisonero shtoi se Komisioni i Venecias ka dhënë një opinion të qartë për rikthimin në punë të gjykatës, të cilin qeveria shqiptare mund ta përdorë.
Konferenca e Parë Ndërqeveritare përcakton fillimin në praktikë të negociatave Shqipëri-BE.
Përpara se të mbahet konferenca, Shqipëria duhet të ketë bërë progress konkret në 15 kushtet që Parlamenti Europian ka përfshirë në rezolutën për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Për të lexuar më shumë për kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë dhe sa ka arritur t’i përmbushë deri tani, lexoni këtu.