Zbatimi i parimeve të shtetit së të drejtës dhe ligjeve në vendet e Bashkimit Europian do të jetë prioriteti kryesor i punës së Komisionit të ri Europian, drejtuar nga Ursula von der Leyen.
Presidentja e zgjedhur e KE-së e bëri të ditur këtë gjë në fjalimin e prezantimit të ekipit të saj të komisionerëve më 10 shtator.
Këtë fakt e ka bërë të ditur e përditshmja angleze The Guardian e cila ka raportuar se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të vetohen çdo vit, me anë të një mekanizmi të posaçëm, për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit.
Sipas The Guardian, zëvendëspresidenti i propozuar i KE-së Frans Timmermans ka paraqitur në takim një raport mbi detajet e mekanizmin që po ndërtohet.
Komisioneri Timmermans ka sqaruar se Komisioni do të hartojë një raport të përvitshëm mbi shtetin e së drejtës, i cili do të mbulojë të gjitha vendet anëtare, për t’i ndihmuar ato të dallojnë “problemet fillestare të shtetit të së drejtës kurdo që ato shfaqen”.
Një nga shtetet më problematike për sa i përket problemeve me parimet e shtetit të së drejtës, nga ku KE mori shkas për mekanzimin e kontrollit është Polonia.
Ngjashëm me Shqipërinë, që prej vitit 2015 qeveria polake, e cila zotëron një shumicë absolute në parlament, ka ndërmarrë një reformë të thellë në drejtësi.
Gjatë një periudhe dyvjeçare, autoritetet polake kanë miratuar më shumë se 13 ligje që prekin të gjithë strukturën e sistemit të drejtësisë në Poloni, duke ndikuar në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme, gjykatat e zakonshme, Këshillin Kombëtar Gjyqësor, Shërbimin e Prokurorisë dhe Shkollën Kombëtare të Gjyqësorit.
KE i ka parë këto nisma ligjore si masa për të shkurajuar magjistratët dhe për t’i lehtësuar qeverisë që të ndërhyjë politikisht, në mënyrë sistematike në përbërjen, kompetencat, administrimin dhe funksionimin e gjithë sistemit gjyqësor.