Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE), Ana Pisonero u shpreh sot në Bruksel se qeveria duhet të shfrytëzojë dekretet e Presidentit për të përmirësuar dy ligjet e mediave njohur si “paketa anti-shpifje”.
Pisonero, zëdhënëse për fqinjësinë dhe zgjerimin, kërkoi nga qeveria dhe mazhoranca parlamentare të fusin në ligj të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës.
“[…] ne e shohim si një mundësi për të reflektuar ndryshimet [në ligje] faktin që Presidenti ia ktheu ligjin Parlamentit. Dhe kjo është diçka për të cilën ne ende kemi shpresë se ata do ti bëjnë [ndryshimet]”.
Pisonero theksoi se mbështeste rekomandimet për promovimin e vetërregullimit të mediave, garantimin pavarësisë gjyqësore në rishikimin e ankesave dhe përforcimin e transparencës së pronësisë së medias.
Më 12 janar Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament dy ligjet – “Për median audiovizive” dhe “Për komunikimin elektronik” – etiketuar nga qeveria si “paketa anti-shpifje”. Ai argumentoi se ato shkelin parimet kushtetuese, të drejtën e lirisë së shprehjes, shtypin dhe të drejtën e informacionit, si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Meta i bëri thirrje Parlamentit që të rishikojë ligjet në përputhje me rrethanat. Vendimi i tij u përshëndet nga Reporterët pa Kufij.
Më 13 janar kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se Presidenti Meta ishte urdhëruar nga lideri i opozitës Lulzim Basha që të mos i dekretonte ligjet dhe se “në seancën më të parë do të rrëzohen.” Seanca e parë më e afërt është ajo e 30 janarit.
Pasi parlamenti e kishte miratuar paketën anti-shpifje edhe pse nën kritika dhe protesta nga gazetarët, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, ishte dakordësuar me versionin përfundimtar.
Sidoqoftë, në një intervistë për Exit News, Desir tha se përkundër përmirësimeve të bëra në draftet përpara miratimit, zyra e tij ende kishte shqetësime për disa nga përmbajtjet e ligjeve.
Pas dekreteve të Presidentit, zyra e Desir në OSBE i bëri thirrje qeverisë të rishikonte ligjet.
Kushtetuta shqiptare parashikon që Presidenti mund të kthejë një ligj në Parlament vetëm një herë. Shumica e deputetëve mund t’i rishikojnë ligjet ose të rrëzojnë dekretin e Presidentit dhe të kalojnë ligjin me një shumicë të thjeshtë.
Euronews analizoi se nëse parlamenti do t’i miratojë ligjet sërish pa bërë ndryshime, kjo do të sjellë pasoja për rrugën evropiane të vendit pasi liria e medias është një prej prioriteteve kyçe që duhet respektuar në procesin të integrimit.