Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dorëzoi, të hënën, dy emra në Presidencë për anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese.
Emrat e dërguar në Presidencë janë Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo, njoftoi KED për mediat.
Vendimi i KED është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Fillimisht, neni 125 i Kushtetutës parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga kandidatët të renditur në tri vendet e para, nga lista e KED.
“Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.”
Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Kuvendi.
Pika 5 e këtij neni parashikon se Komisioni i Ligjeve organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe më pas harton një listë me tre emra të cilat i dërgon në seancë plenare për tu votuar me 3/5.
“Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur.”
Kështu KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte Kuvendin për të rihapur garën.
Në datë 17 Parlamenti miratoi Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese. Sërish Exit argumentoi në një shkrim se ky veprim i KED është në shkelje të ligjit, pasi KED dërgoi në Kuvend vetëm kandidaturën e Binajt.
Por zgjedhja e anëtarit të pestë të Gjykatës Kushtetuese u përshëndet nga ambasadorët e huaj në vend dhe u pa si një hap drejt funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.