Këngëtarja Anxhela Peristeri ka shprehur mbështetjen e saj për Partinë Socialiste, duke iu bashkuar grupit të personazheve të njohur që dalin në krah të kryebashkiakut Erion Veliaj në takimet elektorale.
Në një takim virtual me 100 të rinj, të mërkurën, Peristeri theksoi se ndryshimet pozitive që Veliaj ka bërë në Tiranë, ajo i ka parë nga afër këto vite:
“Vitet e fundit kam parë edhe unë ndryshimet që janë bërë në Tiranë. Jam fokusuar te ndryshimet e bëra në fushën e artit më shumë, duke qenë se jam artiste. Kjo sallë e Liceut Artistik ku unë kam studiuar nuk ka qenë kështu. Nuk kemi qenë në kushte kaq komode.
Teatri i Operas është bërë një mrekulli. Por përveç investimeve në fushën e artit, unë nuk do lija pa përmendur projekte të tjera që i kam parë me sytë e mi si Kalaja e Tiranës apo Parku i Liqenit ku unë shkoj.”
Peristeri përgëzoi kryebashkiakun Veliaj dhe theksoi se ai do ta ketë gjithnjë mbështetjen e saj.