Ka ngjallur debat të pazakontë publik dhe kritika dhënia para pak ditësh nga Biblioteka Kombëtare e Çmimit Lumo Skëndo vëllimit poetik Vrima të autores Rita Petro.
Thelbi i kritikave ka qënë pretendimi për cilësinë e dobët të poezive të vëllimit, veçanërisht fakti që një pjesë e poezive kanë natyrë erotike apo përdorin simbole erotike që nga shumë persona janë konsideruar pa shije dhe pa vlerë artistike.
Por duket se publiku është i keqkuptuar. Çmimi vëllimit nuk i është dhënë dhe nuk ka vlerësuar poezitë që ai përmban, por vetëm anën estetike të tij që lidhen me faqosje, libralidhjen dhe paraqitjen vizuale të botimit.
Në ceremoninë e dhënies së çmimit, Rita Petro e ka tërhequr çmimin në rolin e botueses së vëllimit e jo të autores, pasi ajo është njëkohësisht botuesja e librit.
Një nga kriteret për të cilat mund të vlerësohet një vepër me çmimin në fjalë është pikërisht cilësia e botimit, përfshi libralidhjen. Ky kriter është zbatuar edhe në rastet e mëparshme kur çmimi u është dhënë autorëve më të shquar, si ismail Kadare apo Martin Camaj.