Kërkohet një stend: Sfidat e strehimit të kategorisë së grave të divorcuara/ prind i vetëm/me urdhër mbrojtje

Nga Rezarta Caushaj
Kërkohet një stend: Sfidat e strehimit të kategorisë së grave të divorcuara/ prind i vetëm/me urdhër mbrojtje

Kalimi i Ligjit për Strehimin në vitin 2018 duhet të kontribuonte në shkurtimin e proçedurave për përfitimin e një kredie të butë apo bonus qeraje për personat e pastrehë, por procesi në praktikë vazhdon të çalojë rëndë në shumë aspekte.

Gjendja paraqitet edhe më dramatike për një kategori veçanërisht në nevojë, siç janë gratë e divorcuara dhe/apo prind i vetëm dhe/apo që kanë një urdhër mbrojtje.

Sipas të dhënave të Bashkisë Tiranë, numri mesatar i përfituesve që i përkasin kësaj kategorie, për vitet 2016-2020, ka qënë rreth 20 të pastrehë në vit.

Të gjithë përfituesit e miratuar ishin gra viktima të dhunës në familje, që kanë siguruar urdhër mbrojtje, që kanë përfituar vetëm bonus qeraje.

Përveç shifrave shumë të ulëta të përfituesve, krahasuar me nevojat reale për strehim mes kësaj kategorie në kryeqytet, që justifikohet nga autoritetet vendore me numrin po aq të ulët të aplikimeve, dy gjëra bien menjëherë në sy:

  • Gratë e divorcuara dhe/apo prind i vetëm rezultojnë tërësisht të përjashtuara nga e drejta për të përfituar nga programet e strehimit social;
  • I vetmi program i strehimit, në të cilin gjejnë ndopak akses të pastrehët e kësaj kategorie janë bonusi i qerasë.

Lëvizja për Strehim

Nëse ka një person që mund të identifikohet plotësisht me vuajtjen e të qënit grua e divorcuar e prind i vetëm, që jeton me qera, ajo do të ishte aktivistja Ina Kasimati.

Nëna e dy fëmijëve, ajo jeton me qera prej 20 vitesh tashmë.

E megjithë angazhimin e saj publik nëpër kauza të ndryshme, ku spikasin ato në mbrojtje të mjedisit, u desh përballja me një tjetër nënë të vetme e të pastrehë, që ajo të fillonte në kryeqytet Lëvizjen për Strehim.

Vitin e shkuar Kasimati i hapi derën e shtëpisë së saj me qera një vajze të re 27 vjeçe, nënë e një foshnje vetëm 7 muajshe. Sidorela kishte ngelur “ në qiell të hapur”, pas një divoruci të vështirë, që e la me udhër mbrojtje.

E reja aplikoi tre herë për të përfituar nga bonusi i qerasë, i parashikuar në programin e strehimit social, kërkesë që u miratua po tre herë.

Në realitet, Sidorela nuk mund të merrte bonusin pasi i duhej të siguronte, brenda një perjudhe të shkurtër, një kontratë qeraje.

Kjo e fundit përbën pothuajse një nyjë gordiane drejt strehimit social, të cilën do ta eksplorojmë në vijim.

Rasti i Sidorelës i dha mundësi Kasimatit të njihej me gra të tjera, për të cilat aksesi në strehim, sa nevojë aq edhe e drejtë e tyre, ishte thjesht i pamundur.

Këtu do ta kishte zanafillën projekti “Advokim, studim, monitorim i politikave/buxhetit të Bashkisë së Tiranës në lidhje me strehimin social (bonus qeraje/kredi të buta) për gratë e divorcuara/prind i vetëm/me urdher mbrojtje”, mbështetur nga projekti Lëviz Albania.

Një projekt që përqëndrohet në një kategori specifike të personave të pastrehë e ku gratë e divorcuara/prind i vetëm/ me urdhër mbrojtje kthehen në udhërrëfyese të grave të tjera si ato, të cilave u mungon informacioni apo mjetet për të marr çka u takon.

Nevoja për të kuptuar me themel problematikat e strehimit për këtë grup e ka çuar Kasimatin bashkë me gra aktiviste e eksperite, të dëgjojnë e informojnë qindra gra mbi programin e strehimit.

Ato kanë zhvilluar dhjetra takime ndërgjegjësuese, qoftë me ligjvënës apo edhe Aleancën e Grave Këshilltare në Bashkinë Tiranë, mbi problemet e përfitimit të strehimit dhe nevojën për lehtësimin e proçedurave të aplikimit.

Një pjesë e vendimmarrësve vendor nuk janë në dijeni të pengesave proçeduriale, që has kjo kategori, në përftimin e strehimit.

Kasimati shprehet se ka dërguar edhe komunikime zyrtare individuale anëtareve të Këshillit Bashkiak, për të ifnormuar e apeluar për kërkesat, diçka e pazakontë në traditën tonë të advokimit.

Raporti

Përveç punës në terren, Lëvizja ka bërë një punë sistematike në përpilimin e një raporti profesional, punuar nga studiuesja Marinela Sota, që përmbledh të dhëna mbi efektivitetin e programit të strehimit të zbatuar deri tani në kryeqytet.

Lëvizja ka artikuluar disa kërkesa ndaj Bashkisë Tiranë, të cilat do të shërbenin për hapjen e programit të strehimit ndaj nevojtarëve legjitim.

Në zemër të gjithë problemit që këto gra hasin  janë mungesa e informacionit dhe pamundësia financiare.

Raporti, i konfirmuar edhe nga shifrat e ulëta të aplikimit, zbulon se shumica e grave të shënjestruara nga ky projekt, nuk kanë informacion në lidhje me programet e strehimit.

Edhe në rastet kur kanë dijeni, ato shkurajohen nga procedurat, të cilat nuk marrin parasysh një fakt themelor të jetës së tyre: pamundësinë financiare.

Këto gra nuk kanë luksin të firmosin një kontratë qeraje, që u kërkohet, pa patur paraprakisht sigurinë se do ta përfitojnë strehimin.

Bashkia do të duhet të kishte një listë të “pronarëve social”, që e ka për detyrim ligjor, por lista nuk ekzsiton.

Për të njëjtën arsye është e vështirë të joshësh pronarë banesash për të nënshkruar një kontratë të tillë.

Nëse e keni aq fat, do të duhet ta shpërbleni pronarin “zemërgjerë” duke paguar vetë taksën 15% të qerasë (përkundër çfarë thotë ligji), plus një shumë prej 4500 lekësh të reja për noterizimin e kontratës. Shtoji këtyre edhe një shumë prej 2500-4000 që duhet për dokumentet e tjera.

Pra, për të përfituar një program social, i dizenjuar për persona në pamundësi ekonomike, një aplikim (që për shumë arsye duhet të përsëritet), kushton minimalisht rreth 10 mijë lekë të reja.

Një raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi se në vitin 2018, nga 999 persona që iu ishte miratuar aplikimi për strehimin social, vetëm 55% të tyre e kishin përfituar realisht.

Një tjetër gur mundimi është mungesa e proçedurave të unifikuara nga njësitë vendore të Bashkisë Tiranë, vonesat në sigurimin e dokumentacionit nga institucionet, mungesa e transparencës mbi afatet e procedurave apo arsyet e refuzimit të aplikimit.

Të lëna shpesh nën mëshirën e zyrave vendore, të cilat i skualifikojnë ende pa patur një vendim të Këshillit Bashkiak, këto gra nuk gjëjnë motivim për të përsëritur proçedurat nga e para.

Këto përfaqësojnë vetëm një pjesë të problematikave të evidentuara nga Lëvizja për Strehim, por që mjaftojnë për të ushqyer mosbesimin ekzistues tek institucionet.

Kërkesat

Për të rritur aksesin e grave të divorcuara/prind i vetëm/me urdhër mbrojtje në strehim, Lëvizja i ka kërkuar bashkisë vendosjen e një strende informuese pranë njësive vendore.

Ajo duhet të shërbejë për të informuar aplikuesin, në mënyrë të thjeshtëzuar, mbi programet e strehimit social dhe për ta orientuar në mbledhjen e dokumetacionit gjatë aplikimit.

Kjo nënkupton shtim kapacitetesh, trajnim për punonjësit dhe një buxhet të dedikuar nga ana e Bashkisë, për sektorët që mbulojnë strehimin, por dhe shërbimin social, kur bëhet fjalë për gra me urdhër mbrojtje, viktima të dhunës apo trafikimit.

Po ashtu, Lëvizja ka kërkuar heqjen e detyrimit të kontratës së qerasë, para përzgjedhjes së aplikantit, si dhe mbulimi i pagesës së noterit nga buxheti vendor.

Një tjetër kërkesë lidhet me krijimin e lehtësirave fiskale për “pronarët social”, duke hequr barrën financiare nga aplikuesit.

Kasimati më tregon se ka zhvilluar disa takime në Bashki, më i fundit në datën 29 korrik, nga ku ka marr edhe premtimin nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko për realizimin e stendës.

Në fakt, ligji e ngarkon Bashkinë me përgjegjësinë për të informuar qytetarët mbi proçedurat e aplikimit për programet e strehimit përmes fushatave mediatike, që deri tani nuk është realizuar.

Një fushatë e tillë do ishte gurë themeli për të informuar personat e pastrehë mbi ekzistencën dhe lehtësirat e programeve të strehimit, nëse do të ketë vullnet që këto lehtësira të ofrohen nga Bashkia.

“Unë e kam marr me zemër dhe shpirt dhe po punoj fort t’i ndihmojë gratë,” më shkruan Ina Kasimati, e cila thotë se aktualisht programi po ndihmon 7 gra me strehim. “Besoj se do të lëmë një gjë të mirë,” përfundon ajo korrispondencën tonë.

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>