KESH, dyshime serioze për tendera të manipuluar

KESH, dyshime serioze për tendera të manipuluar

KESH, kompania shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike, është përfshirë sërish në një prokurim të dyshimtë.

Në muajin maj-qershor ajo ka zhvilluar një tender të hapur për pastrimin e zonës para rrjetave metalike të një prej katër turbinave të Hidrocentralit të Fierzës. Pastrimi është i nevojshëm për të lejuar kalimin sa më të lirshëm të ujit për në turbina, rrjedhja e të cilit pengohet nga grumbullimet e materialeve të ngurta.

Fondi limit nga KESH ka qënë rreth 328 milionë lekë (rreth 2,5 milionë euro). Në konkurim janë paraqitur 6 kompani, katër prej të cilave kanë dorëzuar oferta të plota. Por KESH ka skualifikuar tre prej kompanive dhe ka kualifikuar vetëm njërën, S.M.O. Union, e cila pritet të shpallet automatikisht fituese.

Të paktën njëra prej kompanive të skualifikuara, e cila u kontaktua nga Exit.al është skualifikuar për mungesë përvoje në pastrimet ujore dhe nënujore. Por kompania fituese nuk ka asnjë përvojë në punime të tilla, çfarë do të thotë që KESH minimalisht ka përdorur standarde të dyfishta vlerësuese. Ky fakt ngre dyshime për shkelje ligjore dhe korrupsion.

Ajo që e bën procedurën edhe më të dyshimtë është vlera e lartë e kostos së projektit të paracaktuar nga KESH për të cilën koorporata ka caktuar edhe fondin.

Pastrimi i zonës para rrjetës së agregatit 4 të HEC të Fierzës është parashikuar të paktën që në planin e investimeve të vitit 2014. Por nuk dihet se pse ky investim nuk është realizuar në këtë vit. Investimi është riplanifikuar pa u realizuar edhe në vitet 2015 dhe 2016. Më në fund investimi është riplanifikuar për vitin 2017 dhe siç përshkruam më sipër janë kryer edhe procedurat e tenderit për përzgjedhjen e firmës zbatuese.

Por në mënyrë të pashpjegueshme në të gjitha këto vite shuma e investimit ka ardhur duke u rritur edhe pse volumi dhe natyra e punës ka qenë e pandryshuar. Për vitin 2015, KESH kishte planifikuar vetëm 40 milionë lekë, afërsisht 285 mijë dollarë, për pastrimin. Për vitin 2016, pa dhënë asnjë shpjegim KESH e rriti buxhetin e planifikuar për të njëjtin punim në 300 milionë lekë, afërsisht 2,2 milionë euro, pothuajse tetë herë më të lartë se një vit më parë. Në vitin 2016 fondi për punimin u rrit në mbi 328 milionë lekë, pothuajse 2,5 milionë euro.

Fondi final i akorduar është tejet i fryrë për volumin dhe koston e punës. Sipas disa vlerësimeve të bëra nga ekspertë të kontaktuar nga Exit kostoja e përcaktuar nga KESH është të paktën dy herë më e lartë bazuar mbi vlerat e tregut për punë të ngjashme.

Me këtë fond mund të blihen të paktën dy pajisje pastruese vinç të cilat përdoren për pastrimin e ujrave dhe KESH mund ta realizonte pastrimin e ujrave të marrjes gjatë gjithë vitit me kosto shumë më të ulët se ajo e kontraktimit të shërbimit tek kompani të tjera. Kjo zgjidhje, blerja e pajisjes vinç, është diskutuar nga bordi i KESH për rastin e hidrocentralit të Komanit, por pastaj është braktisur.

Procedura e dyshimtë e ndjekur për pastrimin e zonës së liqenit në HEC-in e Fierzës është në fakt përsëritje pothuajse identike e procedurës së ndjekur më parë për të njejtën punim për HEC-in e Komanit.

Për pastrimin e zonës para rrjetave të agregateve marrëse të HEC-it të Komanit, Drejtuesit e KESH kanë ndjekur të njejtën qasje: zvarritjen e projektit për disa vite, rritje në mënyrë të pajustifikuar të vlerës së punimit nga viti në vit, çeljen më në fund në korrik-gusht 2016 të procedurave të kontraktimit për realizimin e punimeve, skualifikimin e të gjithë konkuruesve nga gara me përjashtim të njërit dhe shpalljen automatike fitues të konkuruesit të vetëm të kualifikuar.

Fitues në rastin e HEC të Komanit ishte kompania Viante Konstruksion.

Fondi për punimet e pastrimit të liqenit të Komanit u rrit nga rreth 0,4 milionë euro në vitin 2011 në më shumë se 1,3 milionë euro në vitin 2016.

Në lidhje me këtë tender, ka patur një sërë ankesash administrative dhe publike si dhe denoncime në media. Madje drejtori i KESH, Agron Hetoja u akuzua publikisht për manipulim të procedurave të tenderit nga firma gjermane Muhr Gmbh—një nga kompanitë kryesore në botë për prodhimin e pajisjeve ndërtimore ujore dhe punimet ndërtimore ujore. Muhr dhe partneri i saj lokal Albaxeni shpk i drejtuan një letër Kryeministrit Rama ku denoncon drejtorin e KESH për zvarritje dhe manipulim të procedurave për tenderin e sipërpërmendur duke pretenduar se fituesi i tij ishte i paracaktuar.

Kryeministri premtoi se do të ngrinte një grup verifikimi, por nuk ka të dhënë nëse kjo gjë u bë. Sudoqoftë, duket se akuzat për drejtorin e KESH-it po rëndojnë gjithnjë e më shumë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>