Këshilltarët bashkiakë të Kukësit, Hasit e Tropojës kërkojnë lirimin e protestuesve kuksianë të arrestuar dhe anulimin e tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit për banorët e qarkut Kukës.
Me anë të dy letrave zyrtare, drejtuar Presidentit Meta e Kryeministrit Rama, këshilltarët të të gjitha partive shprehen se janë në mbrojtje të interesave të zgjedhësve të tyre dhe nuk do të ndalojnë së kërkuari zbatimin e të drejtave të tyre.
Në letrën drejtuar Presidentit, të cilën e ka siguaruar gazeta Panorama, këshilltarët kërkojnë ndërprerjen e procedimit penal ndaj të gjithë protestuesve dhe lirimin e katër protestuesve që mbahen ende të burgosur.
Kujtojmë se Gjykata e Tiranës dha masën e arrestit me burg për disa nga të arrestuarit për protestën në Rrugën e Kombit, dhe masën e arrestit shtëpiak e detyrimit me paraqitje për disa të tjerë.
Ndërkohë në letrën dërguar Kryeministrit Rama, këshilltarët kërkojnë heqjen e tarifës për kalimin në Rrugën e Kombit për banorët e qarkut Kukës, pasi kjo pikë e kontratës koncësionare bie në kundërshtim me interesat e komunitetit.
Kjo nuk është e para kërkesë që i dërgohet qeverisë për anulimin e tarifave në Rrugën e Kombit.
Pak ditë më parë, dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kërkoi uljen e tarifave për makinat e tonazhit të rëndë që përdoren nga biznesi dhe shtyrjen e aplikimit të saj të paktën deri në shtator.