Gjykata ka vendosur se 6 anëtarët e Këshillit Bashkiak janë të paligjshëm. Gjykata vendosi kështu pas shqyrtimit të padisë së bërë nga Fabian Topollaj, anëtari demokrat i Bashkisë Tiranë.
Zoti Topollaj hodhi në gjyq Bashkinë me pretendimin se procedurat e ndjekura për zgjedhjen e gjashtë këshilltarëve bashkiakë në korrik 2017 janë në shkelje të ligjit.
Vendimi i Gjykatës Administrative bën që edhe të gjithë vendimet e Bashkisë Tiranë të marra prej korrikut e më tej janë nul. Ndër këto vendime janë vendimi i miratimit të rritjes së çmimit të ujit dhe dhënia me koncesion e 20 shkollave publike.
Vendimet u miratuan formalisht me 31 vota, aq sa këshilltarë ishin të pranishëm në sallë, njëkohësisht dhe minimum i nevojshëm për të formuar kuorumin për të marrë vendime që kërkojnë shumicë ablsolute për tu miratuar, – KBT ka 61 anëtarë, pra shumica absolute e nevojshme është 31 këshilltarë.
Në mbledhje votuan të 25 këshilltarët e PS, tre të PDIU, 2 të LSI dhe një nga FRD. Problemi lind se ndër këshilltarët e PS së paku tre kanë qenë ose me mandat të mbaruar sepse janë zgjedhur deputetë, e nëse kanë qenë zëvëndësuesit e tyre nuk kanë pasur fare mandat sepse Këshilli nuk ka pasur kuorumin për t’ju dhënë atyre mandatin siç parashikon ligji. Jo vetëm kjo, por problem përbën edhe këshilltarja e LSI-së e cila edhe ajo ishte zëvëndësuese sërisht pa mandat.
Prandaj, ndër 31 persona që kanë qenë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës vetëm 28 prej tyre kanë qenë këshilltarë të mandatuar të këtij këshilli. Bazuar në nenet 53, pika të ligjit 139/2015 dhe rregullores së Këshillit neni 13 pika 7 mbledhja ka qenë e pavlefshme.
Të tjerë vendime të rëndësishme të marra nga Bashkia Tiranë gjatë kësaj kohe, që automatikisht dalin të paligjshme janë buxheti i Bashkisë Tiranë 2018, paketa fiskale që parashikonte rritjen e taksave dhe tarifave.