Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë (KFOR) njoftoi të hënën se rritjen e numrit të patrullimeve në Kosovë, përfshi veriun ku situata mbetet e tensionuar që prej 20 shtatorit.
“KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinë në mbarë Kosovën, përfshirë në veri të Kosovë”, thuhet në një deklaratë të misionit të KFOR-it.
Dy pika kufitare me Serbinë, në veri të Kosovës, janë bllokuar nga qytetarët serbë të cilët kundërshtojnë vendimin e qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat nga Serbia.
Forca të policisë së Kosovës ndodhen në vendet pranë pikave kufitare për të siguruar zbatimin e vendimit dhe sigurinë e zonës.
Më 25 shtator, Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok u dogj, ndërkaq Qendra për Regjistrim Civil në Zveçan u sulmua. Për këto incidente, Kosova ka fajësuar Serbinë.
SHBA, BE dhe NATO i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të ulin tensionet dhe të zgjidhin çështjen me dialog.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç refuzoi të ulet në dialog nëqoftëse qeveria e Kosovës nuk tërhiqet më parë nga vendimi i saj. Kryeministri Kurti nga ana tjetër propozoi që të dy vendet të heqin masën e targave të përkohshme ndaj vendeve të tyre.