Ambasadorja amerikane Yuri Kim përshëndeti të mërkurën dënimin e 17 personave të përfshirë në trafikim droge, pjesë e dosjes 339.
“SPAK hetoi me sukses një organizatë të madhe kriminale, duke çuar në burg 17 trafikantë droge dhe konfiskim të pasurive prej 5 milion €”, tha Kim në Twitter. Ajo tha se SHBA shpreson që të shoh SPAK duke dhënë më shumë rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në burg të hënën 17 persona të përfshirë në dosjen 339, pas përfundimit të hetimeve nga SPAK.
Ata u dënuan për tregtim të heroinës në laboratorin e drogës në Has.
Laboratori i përpunimit të heroinës në Has u zbulua më 19 tetor 2018.
Policia sekuestroi 150 kilogramë heroinë të bërë gati për shitje, dhe një sasi opiumi, lënda bazë për përpunimin e heroinës.
Të martën, GJKKO konfiskoi pasuritë e 17 personave, 7 makina dhe një hotel në Rinas.