Në Kinë, ku shpërtheu për herë të parë koronavirusi, jeta po kthehet në normalitet, teksa përhapja e koronavirusit është ngadalësuar ndjeshëm.
Masat drakoniane të shtetit kinez, të cilat duket se patën efekt, po zbuten dalë-ngadalë.
Aktualisht numri i personave të prekur me koronavirust në gjithë botën është më i lartë se sa numri i të prekurve në Kinë.
Numri i të prekurve të rinj në Kinë po ulet çdo ditë.
Chongqing, një qytet në kufi me Hubein, epiqendrën e virusit, ka pasur më shumë se 500 raste të konfirmuara që në fund të dhjetorit. Por tani, nuk ka pasur më asnjë rast në qytet për disa ditë.
Në të gjithë vendin, 13 nga 34 provincat në Kinë kanë shëruar të gjithë të infektuarit. Ndërsa në total nga 81 mijë persona të prekur, 69 mijë janë shëruar.
Edhe në Hubei, ku mbeten rreth 10 mijë persona të prekur, presioni ndaj mjekëve dhe infermierëve, është lehtësuar.
Sot, më 17 mars, grupi i parë prej gati 4 mijë mjekësh e infermierësh që u dërguan në Ëuhan për të ndihmuar në kontrollin e shpërthimit të epidemisë, janë larguar drejt shtëpive të tyre.
Me kaq shumë provinca që kanë ulur nivelet e të prekurve, Kina ngadalë – dhe me kujdes – po kthehet në jetën normale.
Shkollat po fillojnë të zhvillojnë mësim – pas disa javësh mësimi online.
Në provincat e klasifikuara si “me rrezik të ulët” si Guizhou, Qinghai, Tibet dhe Xinjiang, qeveritë lokale kanë lejuar institucionet arsimore të rifillojnë mësimin.
Fabrikat, po ashtu, të cilat ndaluan punën në pikun e epidemisë, kanë filluar t’i rikthehen punës.
Karantinimi i plotë ka çuar drejt falimentimit shumë biznese, por tani ato po i rikthehen punës me shpresën se do të rimëkëmben.
Sipas raportit të fundit të publikuar nga Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës, në janar dhe shkurt, kulmi i shpërthimit të epidemisë në vend, prodhimi industrial i ekonomisë së dytë më të madhe në botë u ul në pikën më të ulët që nga viti 1998, dhe niveli i papunësisë u rrit në më shumë se 6 përqind, duke shënuar një rekord të ri.
“Dy muajt e fundit kanë qenë surrealë për mua. Unë jam 70 vjeç dhe kam parë shumë gjëra në këtë jetë, por kjo ka qenë surreale”, u shpreh Ding për Aljazeeran, teksa takon disa nga miqtë e tij në një park plot pemë.
“Ne jemi të gjithë gjallë dhe jam shumë i lumtur që më e keqja ka kaluar.”