Autoriteti Bankar Evropian (EBA) njoftoi se serverët e tij të postës elektronike ju sulmuan nga një sulm kibernetik, raporton Radio Evropa e Lirë
EBA, rregullatori kryesor financiar i Bashkimit Evropian, njoftoi se ka marrë masa shtesë sigurie, për “rikthimin e funksionalitetit të plotë” të serverëve.
“Në këtë fazë, infrastruktura e postës elektronike e EBA-s është siguruar dhe analizat tona sugjerojnë se nuk janë vjedhur të dhëna. Nuk kemi asnjë tregues për të menduar se sulmi ka shkuar përtej serverëve tanë të postës elektronike”, deklaroi për shtyp EBA.
EBA, sikurse edhe shumë biznese dhe qeveri, përdorin serverët e kompanisë amerikane Microsoft Exchange për postën e tyre elektronike.
Microsoft javën e kaluar njoftoi për sulmin e madh kibernetik të ardhur nga Kina. Por, Pekini e ka mohuar çdo përfshirje.
Duke e cilësuar sulmin si “kërcënim aktiv”, sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u shpreh të premten se cenueshmëria e serverëve të Microsoft Exchange “mund të ketë ndikime të mëdha”.
“Secili që punon me këta serverë – qeveri, sektorë privatë, akademi – duhet të veprojë tani për t’i rregulluar ata”, ka thënë Psaki.