Ndërsa Kryeministri shkruan letra groteske për kolegët e tij evropianë, drejtuesit e tij të policisë së Vlorës—të aftë dhe të besueshëm, sipas propagandës së dikurshme—janë arratisur prej disa ditësh nga frika e pasojave të përgjimeve të kryera në Itali për rastin Habilaj.
Përveçse të arratisur, sot ata janë edhe në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Pak a shumë i njëjti fat i të arratisurit i takon disa “luftëtarëve” të forcave speciale shqiptare, që pasi ndoqën një trajnim në Mbretërinë e Bashkuar dezertuan në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Ushtarët e repartit elitë që dezertuan për para, në kohë paqeje, nuk janë një kartëvizitë e mirë për një vend që është pjesë e NATO-s: imagjino se çfarë mund të ndodhë në rast të një konflikti të vërtet.
Njësoj në gjendje arratie është edhe qeveria e cila deklaron se po bën kërdinë përmes aksioneve fatazmagorike, që janë më shumë operacione propagandistike se sa policore, që përfundojnë me arrestimin e vetëm disa fshatarëve me disa gramë kanabis.
Në arrati është edhe opozita që nuk duket se është në gjendje të artikulojë një argument politik, por vetëm të marrë pjesë në lojën e mediave, nëse kanë mbetur ende media, duke shpallur skandale dhe dosje që pastaj nuk mbërrijnë asnjëherë.
Në arrati, në Shqipëri, është mbi, të gjitha, drejtësia, më parë e intepretuar sikur të ishte mall supermarketi, dhe tani e mbytur nga thjeshtëzimet arrogante të fshehura pas parrullave dhe alibive të një bande aktivistësh të veshur si arbitra.
Në fund, në arrati është populli, i çoroditur nga propaganda, nga tymi i kanabisit dhe parfumi i parave, i paaftë të mendojë për të ardhmen e tij dhe të konceptojë një shoqëri në të cilën të mund të rriten fëmijët e tij.
Gjendja në arrati si gjithmonë lidhet me atë të kladestinitetit, për të cilën Shqipëria dhe populli i saj kanë traditë dhe zakone bindëse.
Tashmë, shqiptarët janë klandestinë prej kohësh, që kur nuk regjistronin fëmijët e porsalindur për të shmangur rekrutimin e tyre në ushtrinë e sulltanit, apo kur qendronin të fshehur në male por tregonin rrëfenja me armë kundër pushtuesve që arrinin të pushtonin vetëm luginat e ulta.
Klandestinë ishin dhe në komunizëm, duke jetuar nën hijen e frikës, në fragmente të rastësishme të rrëfimit të pakënaqsisë. Por kladestine ishte edhe qasja e qeverisë komuniste kundrejt fqinjëve të saj, në një përplasje të vazhdueshme që luhej më shumë në fushën e kontrabandës së mallrave se sa në atë të politikës.
Në fund të komunizmit, kladestiniteti u bë i jashtëm, duke u shfaqur në formën e emigrantit pa dokumenta, të punëtorit në të zezë në kompanitë e vogla italiane ose greke, apo qoftë edhe të kriminelit të vogël, asaj kafshës së egër që plaçkit apo kërkon të plaçkisë ndonjë të mirë nga një botë në të cilën nuk hynte dot.
Për shumë vite shteti e ka ndihmuar këtë kladestinitet duke fallsifikuar listat e gjendjes civile, duke lëshuar dokumente me emra të ndryshëm, duke penguar kontrollin mbi popullsinë që çdo shtet që mund të quhet civil duhet t’i garantojë shteteve të tjera, nëse nuk do të përjashtohet nga skena politike ndëkombëtare.
Sot çdo gjë është kladestine, nga faturat e restorantit tek sjellja e familjarëve, nga taksisti abuziv tek shitësi i cigareve, për të mos folur për gjykatësin apo inspektorin e tatimeve.
Por kladestine është edhe qeveria që fsheh shifrat, të dhënat mbi të cilat bazohen politikat, kontratat PPP deri edhe reformat institucionale.
Kladestiniteti është kthyer në një trajtë të zakonshme, një qendrim, dhe si rezultat në një faktor konkurues, ose të paktën mbijetese.
Gjendja e kladestinitetit dhe e arratisë janë justifikuar përherë në histori nga pushtuesit, tiranët, uzurpatorët, nga mungesa e besimit dhe e ndjenjës së drejtësisë, nga vetëdije se jetohet në një kontekst tërësisht të egër, pa asnjë rregull të pranuar, si kafshët e pyllit.
Dhe në kladestinitet dhe në arrati kemi mësuar edhe imitimin, aftësinë e fituar biologjike që u shërben kafshëve për të mos u vënë re nga grabitqarët e tyre, ndërsa ne qëniet njërëzore e përdorim për t’u perceptuar si miqë, si shpëtimtarë, e si sjellës të rilindjes.