Shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka futur në një debat aleatët qeverisës PS e LSI si dhe krerët më të lartë të institucioneve. Jashtë kësaj çështje nuk mbeti as ambasadori amerikan Donald Lu që akuzoi për mostransparencë. Vetëm gjatë ditës së sotme ka pasur disa akuza të ndërsjella.
Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, në një letër dërguar krerëve të shtetit, deklaron se shorti për KED-në është antikushtetues.
“Më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës dhe, për rrjedhojë, edhe vetë rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit të zhvilëar në Kuvendin e Shqipërisë” , deklaronte Xhafaj në letrën që mban datën 15 shkurt 2017 drejtuar presidentit Nishani, kryeparlamentarit Meta, kryeprokurorit Llalla dhe drejtuesve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.
Ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm shprehen ndryshe. KLD sqaron se kjo procedurë është ndjekur konform ligjit. Sipas këtij institucioni, nga lista me 128 kandidatë vetëm 28 gjyqtarë përmbushnin kriteret për tu përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së.
I menjehershëm ka qenë dhe reagimi i kryeprokurorit Llalla. Ai në letrën drejtuar presidentit Nishani e kreut të Kuvendit Meta thekson se janë verifikuar rast pas rasti të gjitha kandidaturat e prokurorëve për të qenë anëtarë të KED-së.
“Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar rigorozisht kuadrin kushtetues e ligjor në zhvillimin e një procesi të drejtë e transparent”, deklaron Llalla. Megjithatë ai i kujton zotit Xhafaj se mund të ndjekë dhe rrugën ligjore duke e çaur në Gjykatën Kushtetuese procedurën e ndjekur.
I pari për një proces të rregullt ligjor ka folur kryeparlamentari Meta, i cili reagoi pas akuzave të ambasadorit Lu. Ky i fundit akuzoi Llallën se, “Prokuroria e Përgjithshme dërgoi vetëm 3 kandidatë për 3 anëtarë” .
“Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar Kushtetutën. Asnjë prokuror nuk është ankuar as në Prokurorinë e Përgjithshme, as në Kuvend dhe as publikisht lidhur me listën e kandidatëve të përcjellë nga ky institucion në Kuvend për shortin”, deklaroi Meta në një konferncë enkas shtypi pas deklaratave të diplomatit.
3 emrat e propozuar nga Llalla qe u zgjodhën anëtar të KED-së ishin Rovena Gashi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe 2 prokurorët e Apelit, Gentian Ternova dhe Ervin Metalla.
9 anëtarët e KED që do të bëjnë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë:
- Besnik Imeraj Nga Gjykata Kushtetuese
- Vladimir Kristo Nga Gjykata Kushtetuese
- Mirela Fana Nga Gjykata e Lartë
- Rovena Gashi Nga Prokuroria e Përgjithshme
- Brikena Lubonja Nga Gjykatat e Apelit
- Ervin Metalla Nga Gjykatat e Apelit
- Gentian Trenova Prokuroror pranë Gjykatave të Apelit
- Fatjona Memçaj Nga zyrat e Prokurorisë pranë Gjykatave të Apelit
- Kastriot Selita Nga Gjykatat Administrative