Këshilli i Lartë Gjyqësor do të shqyrtojë kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, për shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo pas lirimit të dyshimtë nga burgu të Gert Gjeneralit.
Më 3 gusht, ILD rekomandoi shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, pasi ka liruar nga burgu, në mënyrë të dyshimtë, Gerd Gjeneralin, i njohur si një prej ‘të fortëve të Tiranës’.
Gjyqtari i Korçës Kuqo, në shkurt 2019, vendosi lirimin me kusht të Gerd Gjeneralit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Itali në vitin 1997.
Pas vendimit për lirimin e Gjeneralit, Ministria e Drejtësisë kërkoi hetimin e rastit.
Gerd Gjenerali (Gjinarari) ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Itali në fillim të viteve 2000, për akuzën e vrasjes për hakmarrje të Naim Zyberit dhe dy shqiptarëve të tjerë.
Ai u transferua në Shqipëri në vitin 2014 për të vuajtur dënimin.
Katër vjet pasi u trasferua në Shqipëri ai ka kërkuar në Gjykatën e Korçës lirimin me kusht dhe pas rreth 10 seancash gjyqtari Markelian Kuqo ka pranuar kërkesën e tij.
Shkak për pranimin e kërkesës së lirisë me kusht ishin sipas gjyqtarit Kuqo, deklaratat e Kuqos se ai “ka bërë përpjekje për shuarjen e pasojave të veprave penale” dhe se ka normalizuar plotësisht “marrëdhëniet me trashgimtarët e viktimave”.