KLGJ i dërgon Presidentit emrat e 3 kandidatëve për në Gjykatën e Lartë

Nga Exit News
KLGJ i dërgon Presidentit emrat e 3 kandidatëve për në Gjykatën e Lartë

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) i propozoi sot Presidentit Ilir Meta 3 emra për emërim në 3 poste të Gjykatës së Lartë.

Përmes një deklarate për shtyp, KLGJ ka propozuar në fushën e të drejtës administrative, të drejtës civile dhe të drejtës penale:

  1. Ervin Pupen, Drejtues i Dhomës së Avokatisë
  2. Ilir Pandën, ish-Ministër i Drejtësisë dhe ish-nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
  3. Sokol Sadushin, Drejtues i Shkollës së Magjistraturës

KLGJ thotë se 3 kandidatët “kaluan të gjitha fazat e kualifikimit për të plotësuar 3 vakanca në Gjykatën e Lartë” dhe se aktualisht po punon për të hapur garën për një vakancë tjetër.

Presidenti Meta ka 10 ditë kohë të dekretojë emërimet e 3 kandidatëve, në të kundërtën ata emërohen automatikisht 5 ditë pas mbarimit të këtij afati.

KLGJ hapi garën për 3 anëtarë, jo gjyqtarë, në Gjykatën e Lartë në korrik të vitit 2019. Në garë ishin 22 kandidatë.

Gjykata e Lartë, është shkalla e fundit e gjyqësorit. Ajo përbëhet nga 19 anëtarë, të cilët emërohen nga rradhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet dhe nga rradhët e juristëve me jo më pak se 15 vjet përvojë.

Emërimi i Pupes, Pandës dhe Sadushit në këtë Gjykatën e Lartë, do ta çojë në 4 numrin e anëtarëve, pasi aktualisht anëtar është vetëm Ardian Dvorani.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>