Qeveria Rama vendosi të paguajë me 40 mijë lek për 12 muaj naftëtarët e rafinerisë së Ballshit të ngelur pa punë dhe pa paga prej më shumë se një viti. Kështu naftëtarët dolën nga greva dhe të paktën për një vit do të marrin pagën.
Por për ekonomistin Klodian Tomorri ky veprim i qeverisë nuk ka asnjë sens ekonomik.
Për emisionin “Me pak Fjalë”, të mërkurën në Euronews, Tomorri tha se qeveria me këtë vendim i ka dhënë të drejtën “çdo kompanie private të mos paguaj punëtorët dhe ato t’i paguaje shteti”.
“ARMO ka qënë një kompani e mirëfilltë private që ka shitur karburant në treg dhe kompanitë që e kane shfrytëzuar nuk kanë paguar punonjësit. Nuk ka sens që shteti të marrë përsipër kosto apo detyrime të kompanive private. Po u hap kjo lojë, ajo nuk përfundon”, tha Tomorri.
Tomorri u shpreh se “shtetet kanë politika sociale për punonjësit që humbin punën , të cila janë të përcaktuar në buxhet. Por nuk ka ndodhur që paratë e qytetarëve të përdoren për të paguar detyrimet e kompanive private”.