Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të caktojë drejtuesit e prokurorive pa kaluar procesin e vetingut.
Në një vendim të miratuar, të mërkurën KLP ndryshoi rregulloren për për rekrutimin dhe karrierën e prokurorëve.
Sipas ndryshimeve të reja, KLP do të kryejë vetë rivlerësimin e kandidatëve për në krye të prokurorive, pa pritur komisionet e vetingut.
Gjithashtu, KLP ka vendosur që ti bëj kontroll pasurie dhe figure kandidatëve që e kanë kaluar procesin e rivlerësimit nga KPK dhe KPA.
Vendimi i KLP vjen pasi nga 29 prokurori rrethesh gjyqësore dhe 6 prokurori të Apelit që ka Shqipëria, vetëm 3 drejtues kanë emërim të përhershëm, ndërsa pjesa tjetër janë me emërim të përkohshëm.
Ndryshimet shfuqizuan parashikimin se kandidatët për drejtues të prokurive do t’i nënshtrohen procesit të vetingut me përparësi dhe nëse brenda 3 muajve KPK nuk dilte me një vendim, KLP do të kryente vetë procesin e rivlerësimit.
Kreu i KLP, Gent Ibrahimi argumentoi se ndryshimet vijnë për shkak të ritmit të vetingut.
“Kur miratuam fillimisht rregulloren nuk ishim të vetëdijshëm për ritmet e procesit të rivlerësimit dhe për këtë arsye, u parashikua që do të priteshin institucionet e vetingut për një afat tre mujor”, u shpreh Ibrahimi për BIRN.