KLP merr rolin e gjykatës: Qortime dhe përgënjeshtrim ndaj mediave

Nga Edmond Hoxhaj
KLP merr rolin e gjykatës: Qortime dhe përgënjeshtrim ndaj mediave

Në një mbledhje të zhvilluar të enjten, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi në mënyrë të paprecedentë që “t’i tëheqë vëmendjen” emisionit investigativ “Stop” në TV Klan si dhe të përgënjeshtrojë një shkrim të publikuar në portalin online “Pamfleti”, ku përmenden emrat e 40 prokurorëve.

Vendimi u mor në shqyrtim të ankesave të katër prokurorëve, të cilët i kërkuan Këshillit që të mbajë qëndrim publik ndaj raportimeve në media, për atë që e kanë konsideruar “ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe cenim të figurës së prokurorit”.

Neni 185 i ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” i jep të drejtë Këshillit që të bëjë deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve të veçantë, në rastet kur gjykon shkelje të të drejtave të tyre për shkak të ushtrimit të detyrës.

Por Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur me 8 vota pro dhe 1 kundër që të shkojë përtej parashikimit ligjor, duke vendosur “tërheqje vëmendjeje” apo përgënjeshtrime ndaj mediave në fjalë, pa një vendim gjykate.

“Këshilli vendosi t’i drejtohet nëpërmjet një shkrese emisionit “Stop” në televizionin TV Klan, duke i tëhequr vëmendjen për sjellje të tilla denigruese ndaj figurës së prokurorit nga gazetarë të këtij televizioni dhe të bëjë një përgënjeshtrim lidhur me lidhur me shkrimin e botuar në Pamfleti.net, ku të sqarohet se shqetësimi është krijuar nga një fakt i rremë…,” tha KLP përmes një njoftimi.

Sipas një procesverbali që BIRN e disponon, ankesa për emisionin “Stop” ka mbërritur në KLP nga prokurori i Pogradecit, Gjergj Caka, i cili pretendon se një gazetare e televizionit Klan ka hyrë me forcë në zyrën e prokurorit dhe ka regjistruar me zë dhe figurë debatin mes tyre, i cili është publikuar më pas.

Ndërsa tre prokurorët Albert Kuliçi, Mariola Mërtiri dhe Dritan Marku janë ankuar ndaj shkrimit të publikuar nga portali sensacional, “Pamfleti” me titull “Emrat/ 40 prokurorët dhe gjyqtarët skeduar nga SHBA për Vetting urgjent; do të shporren brenda Janarit 2021”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron të rremë këtë artikull dhe ka vendosur të bëjë një përgënjeshtrim, ku të sqarohet se pranë KLP nuk ka mbërritur asnjë listë e tillë nga OMN apo përfaqësues të SHBA. Këshilli gjykon gjithashtu se shkrimi cenon figurën e prokurorëve.

Saimir Kodra, drejtues i emisionit “Stop” në TV Klan e cilësoi ofendues këtë vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Ky vendim nuk na cënon si media, pasi nuk ka tagra të tillë. Është ofenduese jo vetëm për ne, por për të gjitha mediat. Çfarë tagri ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë të dalë me këtë vendim,” tha Kodra në një bisedë telefonike me BIRN.

“Në rastet kur ne i kemi paraqitur ankesat e qytetarëve ndaj prokurorëve, KLP ka thënë se nuk ka tagër, pasi është kompetencë e prokurorit. Tani, si e marrin këtë vendim ndaj mediave?” shtoi ai.

Edhe përfaqësuesi i portalit online “Pamfleti”, Gjergj Zefi tha për BIRN se vetëm gjykata mund të marrë vendime për mediat.

“Prokurorët dhe çdo bashkim i tyre kanë tagër të çojnë çështjet në gjykatë dhe jo të marrin vendime përkundrejt të tjerëve. Është e paimagjinueshme se si një trupë e prokurorëve mund të marrin vendime që ndikojnë në punën e një pushteti tjetër. Ky është një mentalitet arbitrar i organizimit të pushteteve dhe që reflektohet edhe te KLP,” tha Zefi.

Kryetari i KLP, Gent Ibrahimi nuk ju përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Botuar më parë tek Reporter.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>