Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin e auditimit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017. Auditimi i një sërë institucionesh shtetërore për periudhën 2014-2016, ka shfaqur një dëm total prej 590,6 milionë eurosh të shkaktuara nga shkeljet ligjore.
Shifrat në raportin e KLSH tregojnë një administratë të sunduar nga paligjshmëria dhe mungesa e efiçencës, e pakontrolluar apo mbikëqyrur nga institucionet qeveritare. Doganat paraqiten si ndër institucionet më pak eficente dhe më shumë të korruptuara, krahasuar me institucionet e tjera. Pas doganeve, renditen Zyra e Prokurimeve Publike dhe Drejtoria e Tatim-Taksave:
-Dëmi i shkaktuar nga Drejtoria e Doganave si pasojë e shkeljes së ligjit dhe rregullave kap shifrën e rreth 6 milionë eurove;
-Procedurat e parregullta të prokurimit publik dhe mungesa e mbikëqyrjes ndaj këtij institucioni, kanë shkaktuar një dëm prej 2,1 milionë eurosh;
-Dështimi i mbledhjes së tatim-taksave nga Dretjoria e Përgjithshme e Taksave ka shkaktuar një dëm prej 1,8 milionë eurosh;
-Shpërblimi i nëpunësve civilë të shkarkuar nga detyra ka sjellë një dëm prej 540 mijë eurosh.
Nga sektori i doganave, është Zyra Doganore në Portin e Durrësit, ajo që ka shkaktuar pjesën më të madhe të dëmit, 4,8 milionë euro. Porti i Durrësit është një nga pikat kryesore të daljes që përdoret nga trafikantët për trafikun ndërkombëtar të kanabisit. Vetëm në muajt e fundit disa tonë kanabis kanë kaluar kontrollin në Durrës, për tu kapur më pas në portet italiane.
Disa institucione të tjera shtetërore kanë treguar edhe më shumë paaftësi. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka shkaktuar 148 milionë euro dëm, përmes “shkeljeve të disiplinës financiare”, ndërsa Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dështoi në mbledhjen e 378 milionë eurove gjoba ndaj kompanive të lojrave të fatit.
Dështimi i AMLF-së merr rëndësi të veçantë po të rikujtojmë se në fillim të 2017-ës , Qeveria Rama dha me koncesion ndërtimin dhe operimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të Lojrave të Fatit.
Po ashtu, Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë (UKT), vetëm në vitin 2016, dështoi në mbledhjen e 5,6 milionë faturave nga klientët. Zgjidhja e Bashkisë Tiranë për paaftësinë e UKT-së ishte rritja e çmimit të ujit.