Pas kallëzimit për shpërdorim detyre të drejtorit të Spitalit Psikiatrik në Vlorë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori dhe disa zyrtarë dhe ish zyrtarë, që akuzohen kryesisht për shpërdorim fondesh. Denoncimet e KLSH vijnë pas auditit të fundit në institucionet shtetërore, i cili zbuloi rreth gjysmë miliardi euro “të humbura”.
Kështu KLSH:
-kallëzoi 5 ish-regjistrues dhe 2 punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme në Korçë, për privatizime të paligjshme të pronave shtetërore, duke shkaktuar rreth 296 mijë euro dëm në buxhetin e shtetit;
–kallëzoi një ish-drejtor dhe 3 ish-përgjegjës sektori të ALUIZNI-t në Korçë për legalizime të paligjshme, që kanë shkaktuar një dëm prej rreth 431 mijë eurosh në buxhetin e shtetit;
-kallëzoi 2 ish-drejtorë dhe 2 specialistë të Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë në Lezhë për mosrespektim të ligjit në menaxhimin e tokës shtetërore, duke shkaktuar një dëm prej 83 mijë eurosh në buxhetin e shtetit.
Deri më tani KLSH ka dërguar në prokurori vetëm rastet e abuzimit në vlera relativisht të vogla. Dëmi më i madh në buxhetin e shtetit, zbuluar gjatë auditit ishte shkaktuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe nga UKT Tiranë.