Kolegji i Apelimit do të shqyrtojë çështjen e apeluar nga Komisioneri Publik në lidhje me ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Anëtarët e Komisionit Ad-hoc të cilët do të shqyrtojnë këtë çështje janë: Kryetar Sokol Çomo, Sekretar Luan Daçi dhe anëtarë Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ndërpreu procesin e vetingut sepse zoti Llalla zgjodhi të heqë dorë nga e drejta e magjistratit dhe nga e drejta për tu emëruar në pozicionin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, pas përfundimit të mandatit të tij si Prokuror i Përgjithshëm. Komisioneri Publik e kundërshtoi vendimin e KPK-së dhe e apeloi vendimin e KPK-së në KA.
Kushtetuta është e qartë mbi kushtet e përfundimit të procesit të vetingut. Kështu në nenin G pika 1 të Aneksit të Kushtetutës parashikohet se “Subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”.
Madje, mbështetja ligjore për ndërprerjen e procesit të vetingut është arsyetuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese numër 78, 12 dhjetor 2017.