Kolegji i Posaçëm i Apelit shpalli dje moskompetencën lidhur me ankimin nga prokurorët Rovena Gashi e Dritan Gina të vendimit të Kryeprokurores Arta Marku për pezullimin e tyre nga detyra.
Sipas KPA, dy prokurorët e pezulluar nga detyra duhet t’i drejtohen Gjykatës së Apelit Administrativ për të ankimuar vendimin e PPP-së Arta Marku.
Me këtë vendim, KPA shprehet se Arta Marku i ka orientuar gabim prokurorët Gashi-Dina në shkresën e pezullimit nga puna, pasi aty shkruhej se ankimimi i vendimit të pezullimit mund të bëhet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Si kanë ndodhur ngjarjet?
Më 11 maj 2018, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku vendosi pezullimin nga detyra të prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina, me motivin se çifti i prokurorëve janë marrë si të pandehur nga Prokuroria e Durrësit.
Në urdhërin 140 dhe 141 të datës 11 maj, dhënë nga Arta Marku, shkruhej se për të ankimuar vendimin, prokurorët “t’i drejtohen Kolegjit të Apelimit”.
Në qershor, Rovena Gashi dhe Dritan Gina ankuan vendimin e Markut tek Kolegji i Apelimit.
Më 5 korrik, Kolegji i Apelimit i përgjigjet ankimimit të Gashit e Ginës duke mos marrë përsipër ta shqyrtojë atë. KPA i drejtoi prokurorët tek Gjykata Administrative e Apelit, duke rrëzuar kështu urdhërin e Arta Markut.