Kolegji Zgjedhor vendosi sot pushimin e ankimit të Partisë Aleanca Popullore për shpalljen të pavlefshme të listave të deputetëve të regjistruar në KQZ më 29 prill.
Kreu i PAP Artur Dojaka deklaroi se Aleanca Popullore është dakord me pushimin e çështjes, duke qene se rrethanat kanë ndryshuar, pra data e votimit është shtyrë.
Zoti Dojaka tha se tashmë kërkon nga KQZ që të krijojë hapësirat e nevojshme që PAP të regjistrohet në zgjedhje edhe pse ajo nuk është pjesë e grupimit opozitar. Kujtojmë se sipas marrëveshjes së re mes Ramës e Bashës do të lejohet regjistrimi në zgjedhje dhe dorëzimi i listave shumëemërore deri më datë 26 maj, vetëm për partitë opozitare.
Partia Aleanca Popullore, një parti e vogël e lidhur me qeverinë Rama, pa mandate në parlament, paraqiti një ankim në 12 maj, në Kolegjin Zgjedhor, ku kërkonte anulimin e vendimeve të KQZ-së për të regjistruar listat e kandidatëve më 29 prill. Të njëjtën ankim bëri dhe Partia Agrare Ambientaliste në emër të grupimit opozitar. Të dyja këto ankime janë pushuar tashmë.