Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të rrisin përpjekjet për të mbrojtur të drejtat e viktimave të ‘zhdukura me detyrim’. Komentet u bënë gjatë një takimi të Grupit të Punës për Zhdukjet e Detyruara.
Zhdukje me detyrim quhet rrëmbimi ose burgosja e fshehtë e një personi nga një shtet ose organizatë politike, ose nga një palë e tretë me autorizimin, mbështetjen ose dakordësinë e një shteti ose organizate politike, e ndjekur nga një refuzim për të njohur fatin dhe vendndodhjen e personit, me qëllim të vendosjen e viktimës jashtë mbrojtjes së ligjit.
Folësit thanë se, për fat të keq, zhdukjet e detyruara ose të pavullnetshme janë një fenomen në të gjitha rajonet e botës. Ata riafirmuan angazhimin e tyre për të parandaluar praktika të tilla dhe për të mbështetur viktimat dhe familjet e tyre në kërkimin e së vërtetës, drejtësisë dhe dëmshpërblimeve.
Duke iu drejtuar delegacionit shqiptar, ata kërkuan rishikimin e praktikave ligjore dhe krijimin e një “mekanizmi të pavarur, me mandat të gjerë dhe multidisiplinar i ngarkuar me monitorimin e të drejtave të viktimave dhe arritjen e një pajtimi kombëtar”.
Nënkryetari i Grupit të Punës, Henrikas Mickevicius, tha se për të trajtuar zhdukjen e detyruar, bashkësisë ndërkombëtare i duhej angazhim dhe vendosmëri nga të gjithë.
Ai vuri në dukje se kishte shumë raste të pazgjidhura në të gjithë botën dhe se pas secilit rast “ishin qenie njerëzore që u bënë viktima të një prej shkeljeve më të tmerrshme të të drejtave të njeriut”.
Për më tepër, ai vuri në dukje se në nivel global, “ajo që ishte bërë deri më tani nuk ishte e mjaftueshme për të adresuar në mënyrë efektive këtë shkelje ndaj dinjitetit njerëzor dhe se bashkëpunimi i Shteteve me Grupin e Punës ishte kyç për të parandaluar, luftuar dhe zhdukur këtë fenomen.”
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ratifikojnë ose aderojnë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja e Detyruar. Si dhe të njohin kompetencën e Komitetit për Zhdukjet e Detyruara për të marrë dhe shqyrtuar komunikimet individuale dhe ndër-shtetërore.
Në vitin 2020, OKB -ja akuzuan shqiptarët për bashkëpunim në zhdukjen me forcë dhe rrëmbimin jashtë territorit të qytetarëve turq.
Raportuesit e OKB -së thanë se Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje sekrete me Turqinë për të mundësuar kthimin me forcë të shtetasve turq.
Raporti thekson se qeveria turke jo vetëm që ka pranuar kryerjen ose përkrahjen e rrëmbimeve dhe transferimeve të paligjshme, por është zotuar se do të kryejë më shumë në të ardhmen.
Raportohet se në nëntor 2018, Ministri i Jashtëm turk informoi Parlamentin se 452 kërkesa për ekstradim ishin dërguar në gjithsej 83 vende.
Ndërkohë, më shumë se 6,000 njerëz janë ende të zhdukur pas rënies së komunizmit, 30 vjet më parë. Ka disa kërkesa për gërmime dhe hetime në pritje para prokurorëve, por nuk ka pasur përparim në rastet në më shumë se tre vjet.