Koment: “Gati për Shqipërinë” – mes propagandës së qeverisë dhe ekselencës së munguar

Koment: “Gati për Shqipërinë” – mes propagandës së qeverisë dhe ekselencës së munguar

Në 30 vite tranzicion, Shqiperia nuk mundi të ndërtonte dot një sistem meritokracie, ku punësimi e promovimi në institucione të bëhej në baze të aftësive.

As mundi të kultivonte në administratë njerëz me eksperiencë në shërbim të qytetarëve e jo pushtetarëve.

Refromat në këtë sektor nuk kanë arritur, madje, as të neutralizojnë rastin më banal të punësimit pa meritë në “shtet”: korruptimit të zyrtarëve të lartë me anë të ndërmjetësve.

Rasti i freskët ishte ai i ish-zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda, që u kap javën e kaluar në përgjime, duke pranuar si rryshfet 1 telefon celular, 1000 Euro dhe 1 arkë me peshk, në këmbim të vendit të punës.

Përgjimet sugjeronin se, kjo do të arrihej, fillimisht, duke i rrjedhur aplikantes pyetje-përgjigjet e testit të DASH e më pas, duke e favorizuar në përzgjedhje.

Kujtojmë se kryeministri Rama, gjatë dy mandateve të shkuara, është krenuar mbi punësimin e kandidatëve “nga portali”, siç i referohet rëndom.

Kështu ka tentuar ai të heshtë “gojët e liga”, të cilat kanë folur për manipulim të renditjes së fituesve apo shitjes së testit kualifikues për në administratë, porpos sukseseve “digjitale” të meritokracisë.

Testimi dhe aplikimi në portal supozohet të siguronin punësimin në bazë të aftësive dhe eleminimin e korrupsionit si mjet punësimi në “shtet”.

Por, ato nuk kanë patur asnjë efekt dhe punësimi mendohet ende, me të drejtë, si domaini i personave me pushtet.

Për ta zgjidhur, praktikat më të mira rekomandojnë pavarësimin nga ndikimi politik të agjensive, që merren me rekrutimin e shërbëtorëve publik, automatizimin e procesit të testimit dhe trasparencën e rezultateve përfundimtare.

Automatizimi nuk nënkupton thjesht një aplikim online, por teste të automatizuara, që administrohen, korrigjohen e ballafaqohen në kohë reale.

Vendit tonë i duhet ende kohë që të adoptojë një sistem të tillë, më së shumti për shkak të mungesës së vullnetit politik. Administarta publike shihet si një makineri e sigurtë votash dhe një sistem shpërblimi për militantët, që duhen mbajtur të lumtur.

Por, kjo kohë e nevojshme premton të zgjatet pafundësisht, për sa kohë kryeministri Rama aktivisht frymëzon shmangien e proçedurave institucionale për punësimin në administratë, standarde të një vendi demokratik.

Ai e jep këtë mesazh në mënyrë të vazhdueshme.

Kur iu desh të zgjidhte krizën politike, të shkaktuar nga protestat studentore, Rama sakrifikoi meritokracinë, qoftë edhe formale, të konkursit të DAP-it, për hir të imazhit prej reformatori në arsim.

Ai ftoi student ekselent të punonin në institucionet publike, mjaftonte që të aplikonin në portalin e radhës së qeverisë. Ekselenca e pretenduar nënkuptonte se testimi ishte i panevojshëm.

Më pas, kriza kaloi, programi u harrua dhe portali u nxorr jashtë funksionit.

Siç e kemi shtjelluar më parë , idea u përdor qysh në 2013 nga Rama, kur sapo erdhi në pushtet për të dhënë mesazhin e një lideri ndryshe, por ai e ka ricikluar sa herë ka patur nevojë.

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, me idenë se qeveria e vjetër është e aftë të ripërtërihet me njerëz të rinj e të aftë, Rama e ka nxjerr edhe një herë projektin e pluhrosur nga sirtari, duke i hedhur sipër edhe një mantel patëriotizmi.

Përveçse të jenë ekselent, aplikantëve u bëhet thirrje që “të kontribuojnë” për vendin dhe nismën e ka pagëzuar me emrin “Gati për Shqipërinë”.

Mënyra se si do të “kontribuojnë” aplikantët është lënë e vagulltë, pa sqaruar as pozicionet që do të zënë, pagat që do të marrin apo nevoja që përmbushin, në një administratë të tej fryrë gjatë qeverisjes së socialistëve.

Fjala “kontribut” është llagapi  propagandistik i radhës, në tentativë për të fshehur sabotimet e qeverisë ndaj sistemit të meritokracisë në vend dhe korrupsionin që e shoqëron pashmangërisht.

Jo më larg se sot, zv.ministrja e Arsimit, Bora Muzhaqi, njëkohësisht koordinatore e platformës “Gati për Shqipërinë”, përsëriti para mediave, me një ton arrogant, se ajo ishte kthyer për të kontribuar për vendin.

Sipas saj, aplikimi në platformën “Gati për Shqipërinë” nuk linte vend për mik e shok e madje, as për arkat e peshkut.

Kjo e fundit një përpjekje ironike për t’u distancuar, në mënyrë moskokëçarëse, nga rasti Vodo i korrupsionit në radhët e qeverisë.

Arroganca nuk duhet të jetë surprizuese, kur kryeministri u mbush mendjen të rinjëve se të katapultohesh nga aulat e universitetit në pozicione të larta në qeveri, quhet kontribut e sakrificë për vendin.

Në të njëjtën mënyrë moskokëçarëse ai zëvendësoi testimin nga Departamenti i Administratës Publike me një intervistë ad hominem me të e favoritët e tij; si dhe trasparencën e konkursit, me transmetimin live në faqjen e tij në Facebook.

Ndonëse, për hir të së vërtetës, do të ishte e tepërt t’i quaje takimet viruale me aplikantët e rinj intervista pune.

Janë ato që zbulojnë efektin që fushatat e kryeministrit kanë patur ndaj mënyrës se si konceptohet meritokracia nga profesionistët e rinj.

Shumica prej tyre nuk bëjnë tjetër veçse prezantojnë shkurtimisht veten, ku kanë studiuar e ku kanë punuar, funksion që e kryen më së miri Jetëshkrimi.

Intervista duhet të depërtojë më tej në aftësitë, vlerat e karakterin e tyre, nëse disponojnë etikën që i përshtatet funksionit publik e detaje të tjera. Por, asnjëri prej tyre nuk e sheh veten të sfiduar në ato që thotë.

Asnjëri nuk ka ide specifike se ku dhe si do të kontribuojë, paçka se, degjohen të përsërisin nëntekstin patriotik (“të kontribuojnë”), të vetdijshëm se kjo është çka kërkohet prej tyre.

Kthimi i tyre i qëllimshëm në një niche për qeverinë, zbulon tre të vërteta të hidhura:

  • Që secili e di që ky është një operacion propagandistik;
  • Që secili e di se për të fituar vendin e lakmuar, duhet të luajë rolin e vet në operacionin propagandistik;
  • Që secili e di se të rëndësishme nuk janë idetë dhe aftësitë profesionale, aq sa aftësia për të joshur pushtetin me gatishmërinë për t’i shërbyer.

Në një lupë më të gjerë, zbulon edhe mbrujtjen e të rinjëve me një kulturë vetëlëvdimi, që ekselencën e barazojnë më një notë e me një post, e jo me nevojën për të konkurruar e triumfuar mes më të mirëve.

Përkundrazi, “ekselentët” e “Gati për Shqipërinë” e dijnë që janë fasadë për meritokracinë dhe janë gati ta sakrifikojnë ekselencën e tyre për një vend pune “n’shtet”.

E, çfarëdo kontributi profesional të japin aty, nuk do të mundet kurrë të jetë kontribut shtet-ndërtues e për rrjedhojë, as kontribut “për vendin”.

Vendi nuk i duhet vetëlëvdimi, i duhen standarde, i duhen njerëz që respektojnë e ndërtojnë institucione.

Dhe, sado problematik mund të jetë aktualisht rekrutimi në administratën publike, ai nuk mund të tejkalohet duke i lënë standardet e “shërbimit publik” në dorë të pushtetit.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>