Komisioni Evropian duket se ka ndryshuar qasjen ndaj 15 kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për t’u ulur në tryezën e konferencës së parë ndërqeveritare, e cila do të zyrtarizonte fillimin e negociatave të pranimit me BE-në.
Ky ndryshim lidhet në mënyrë të veçantë me “paketën anti-shpifje”, të paraqitur për herë të parë nga qeveria shqiptare në 2018.
Fillimisht, ndryshimet dhe propozimet do të lejonin që të gjitha portalet online të mediave të viheshin nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të një bordi të caktuar nga shteti, i cili do të kishte të gjitha kompetencat e një gjykate, pa qenë profesionistë ligjor. Ata do të ishin në gjendje të bllokonin, mbyllnin, të fusnin përgënjeshtrime dhe të vendosin gjoba kundër mediave që besonin se kishin shkelur dispozitat e paqarta të ligjit të ri, kryesisht në lidhje me lajmet e rreme dhe shpifjen.
Drafti u prit me zemërim nga palët e interesuara, si mediat lokale dhe organizatat ndërkombëtare. Pastaj, ai iu nënshtrua disa rishikimeve, por ende nuk ishte i përshtatshëm.
Komisioni i Venecias lëshoi një opnion, duke theksuar ndër të tjera se “projekt-ndryshimet nuk janë gati për miratim në formën e tyre aktuale. Ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një effect efekt trishtues ’duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalën politike në sektorin shqiptar të internetit”.
Ai gjithashtu deklaroi se “Problemet e identifikuara nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të paraqitura në projekt-ndryshim mund t’i bëjnë më shumë dëm sesa dobi lirisë së shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet“.
Së fundmi, Komisioni tha se qeveria duhet të përqendrohet në vetërregullimin dhe sigurimin e efektivitetit të procedurave ekzistuese gjyqësore për lajmet e rreme, shpifjeve dhe gjuhën e urrejtjes. Ai vuri në dukje se dhënia e një pushteti të tillë AMA-s, që është nën varësinë e shtetit, duke i hapur rrugë politizimit të saj. Rekomandimet e Komisionit të Venecias janë të qarta, por nuk janë detyruese.
Drafti u miratua nga Parlamenti dhe më pas iu dërgua Presidentit Ilir Meta, i cili vuri veton dhe e ktheu mbrapsht. Tani gjendet sërish në rendin e ditës të Parlamentit dhe nëse votohet e miratohet për herë të dytë, do të hyjë në fuqi pa miratimin e Presidentit.
Në mars 2020, Këshilli Evropian publikoi një raport mbi Zgjerimin dhe Procesin e Stabilizimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Dokumenti thotë se përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të kryejë disa detyra dhe reforma. Ato përfshijnë “ndryshimin e ligjit për media në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias” i cili përshkruhet si një “përparësi e rëndësishme”.
Shumë figura të BE-së folën për ligjin e medias, duke përfshirë zëdhënësen e KE-së Ana Pisonero. Ajo i kërkoi qeverisë dhe shumicës parlamentare të miratojnë të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës.
“[…] Ne shohim një mundësi për të pasqyruar ndryshime, në faktin që Presidenti e ktheu ligjin në Parlament. Dhe kjo është diçka që ne ende shpresojmë se do të bwhet [ndryshimet] ”.
Pisonero theksoi se mbështet rekomandimet për promovimin e vetë-rregullimit të medias, garantimin e pavarësisë gjyqësore në shqyrtimin e ankesave dhe rritjen e transparencës së pronësisë së mediave.
Në atë kohë, Shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca tha në një konferencë për shtyp në Tiranë, se:
“Inkurajoj autoritetet shqiptare të përdorin çdo mundësi për të vendosur një dialog me aktorët e medias. Është koha për të filluar konsultimin me komunitetin e medias mbi projektligjin mbi mediat, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë për të siguruar një ndikim pozitiv në paketë. ”
Ai gjithashtu tha se paketa nuk i plotëson standardet e lirisë së shprehjes dhe nuk ishte në përputhje me standardet e BE-sw.
Për më tepër, ai shkroi në Twitter për të thënë që çdo ndryshim në projektligj duhet të ishte në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Soreca shtoi se ligji duhet të pwrputhet me të gjitha standardet përkatëse të BE-së dhe ndërkombëtare.
Anëtarët e Parlamentit Evropian folën gjithashtu për ligjin, përfshirë eurodeputetin David Lega, i cili i kujtoi qeverisë shqiptare se legjislacioni vendas dueht tw harmonizohet me standardet e BE-sw.
“E ashtuquajtura ‘paketw anti-shpifje’ në formën e saj fillestare është shembull i kundërt së asaj mënyre jetese. Liria e medias dhe pluralizmi, si dhe liria e shprehjes duhet të adhurohet.”
Këto janë vetëm disa shembuj të mënyrës se si Brukseli dhe politikanë të spikatur të BE-së kanë folur për ligjin mbi median.
Por në fillim të këtij viti, qëndrimi i tyre ndryshoi.
Gjatë një konference shtypi në mars, raportuesja e BE për Shqipërinë Isabel Santos pohoi se ligji për shpifje u tërhoq.
Kur u pyet nga Exit se si Shqipëria mund të kishte përmbushur të gjitha kushtet, teksa ligji ishte ende në axhendën e Parlamentit, ajo tha:
“Sa i përket ligjit për shpifje, ai u tërhoq. Unë isha në vijën e frontit në atë betejë, e kisha shumë të qartë se kjo është një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohej. Qeveria e ka tërhequr nga parlamenti. ”
Ajo shtoi, “ne do të ndjekim nga afër situatën dhe do të sigurojmë që ligjet të jenë në përputhje me Komisionin e Venecias. ”
Deklarata e Santos nuk ishte e vërtetë. Drafti është ende në rendin e ditës dhe nuk është tërhequr zyrtarisht apo publikisht. Ajo refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të mëtejshme në lidhje me temën kur u kontaktua swrish nga Exit.
Një rezolutë e miratuar në Parlamentin Evropian në 25 Mars, vuri në dukje se ata “mirëpresin angazhimin e autoriteteve për të tërhequr propozimin e ndryshimeve në ligjin e medias dhe për të zbatuar plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias të 19 Qershorit 2020.”
Për ta përmbledhur, fillimisht projektligji u përfshi midis kushteve të marsit 2020 të caktuara nga Komisioni Evropian. U tha qartë se paketa duhet të formulohej në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Gjatë 12 muajve pasues, udhëheqësit e BE-së, politikanët dhe Shefi i BE-së në Tiranë ishin jashtëzakonisht të zhurmshëm për këtë temë, të gjithë kërkuan unanimisht për të njëjtën gjë.
Por në Mars 2021, Relatorja pretendoi se ligji ishte tërhequr nga Parlamenti pa dhënë ndonjë informacion se si arriti në këtë përfundim. Ndërkohë, ligji në fjalë është ende shumë në Parlament dhe mund të miratohet në çdo kohë.
Më pas, Soreca publikoi një video në mediat sociale ku thoshte se Shqipëria kishte përmbushur të gjitha kushtet që i ishin vendosur.
Exit pyeti Delegacionin e BE-së në lidhje me statusin e ligjit të medias dhe mënyrën se si ky kusht mund të konsiderohet i përmbushur, ndërkohë që asnjë draft i ri nuk është paraqitur dhe ai i vjetri mbetet në Parlament.
Ata u përgjigjën duke cituar Komisionin Evropian.
“Projekt-ndryshimet e Ligjit për Mediat nuk ishin në mesin e kushteve të vendosura nga Këshilli në mars tw vitit 2020. Siç thotw edhe Komisioni i Venecias, miratimi i ndryshimeve në Ligjin mbi Mediat nuk është i nevojshëm, por nëse amendamentet do të miratoheshin, duhet të ishin në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias. ”
Exit u përgjigj duke cituar pasazhet e sakta të dokumentit të kushteve të marsit të vitit 2020, si dhe citime të drejtpërdrejta nga raporti i Komisionit të Venecias, të cilat duket se bien në kundërshtim me këtë deklaratë. Asnjë përgjigje nuk ka ardhur deri në kohën e botimit të këtij shkrimi.
Në harkun e një viti, ne kemi kaluar nga mbështetja e plotë e Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, Komisionit dhe Parlamentit, për t’u siguruar që rekomandimet e Komisionit të Venecias të zbatohen, para se kushtet mbi median të konsiderohen të plotësuara, tek të qenurit të mashtruar.
Mos të harrojmë se për disa muaj na thanë se nuk kishte kushte. Tani na thuhet se ka kushte. Na thanë se ligji për mediat ishte pjesë e tyre. Pastaj na thanë se kushti ishte i plotwsuar, pasi ligji për mediat u tërhoq. Kur vumë në dyshim të vërtetën e deklaratës se ai ishte tërhequr, atëherë na u tha se nuk ishte fare kusht. Na thanë gjithashtu se çdo ligj duhet t’i përmbahet rekomandimeve të Komisionit të Venecias, por një vit më vonë, papritmas këto nuk kanë rëndësi dhe asnjë ndryshim nuk është i nevojshëm.
Unë kam mbetur vetëm me një konkluzion nga i gjithë ky skenar: që liria e medias dhe mbrojtja që na është dhënë më parë është shitur, dhe ne do të hidhemi në gojë të ujkut në emër të ‘stabilitetit’ dhe ‘zgjerimit’