Komisioneri Hahn: Udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi! Por si?

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Komisioneri Hahn: Udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi! Por si?

Në një lëvizje të papritur dhe të paprecedentë, Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit Johannes Hahn ka shkruar një letër të hapur drejtuar të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Letra erdhi pas dështimit të zgjedhjeve në Kavajë dhe në një moment kur bisedimet ndërmjet opozitës dhe qeverisë nuk kanë përparuar.

Kryeministri Edi Rama është nisur dje për të vizituar hapjen e shfaqjes së tij në Bienalen e Venecias dhe është i zënë duke zgjeruar kapitalin e tij kulturor dhe financiar, ndërsa opozita po përpiqet të ndalojë zgjedhjet në Kolegjin Zgjedhor, me shumë pak shpresë se mund për të patur sukses.

Komisioneri Hahn theksoi se ai “duhet të respektojë” vendimin e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, por në të njëjtën kohë i “vjen shumë keq për këtë vendim”. Sidoqoftë:

Demokracia dhe standardet demokratike nuk duhet të pezullohen nga bojkoti i institucioneve dhe zgjedhjeve demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen në bazë të meritës së tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Letra erdhi si një lajmërim i dhimbshëm për paaftësinë që ka treguar BE muajt e fundit për të kontrolluar përhapjen e forcave anti-demokratike në rajon. Me zgjedhjen e Aleksandër Vuçiç në Serbi, vazhdimin e krizës politike në Maqedoni dhe sidomos referendumin në Turqi, BE-ja jo vetëm ka dëshmuar se do t’i tolerojë prirjet autokratike, por edhe se është e gatshme të sakrifikojë seriozisht demokracinë për hir të “stabilitetit”, ndëkohë që vetë bashkimi i brendshëm në BE po bëhet gjithmonë e më i brishtë.

Tonet e “sinqerta” të letrës—të tilla si “unë dënoj fort çdo deklaratë për thirrje për veprime që minojnë të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe çdo të drejte tjetër themelore”—duket se mundohen të kompesojnë faktin se BE-së vështirë se i ka mbetur ndonjë metodë trysnie për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza e zgjatur politike.

Përqendrimi i vazhdueshëm dhe miopik tek reforma gjyqësore, një temë e cila çuditërisht nuk përmendet në letër, e ka bërë atë të verbër ndaj kontekstit më të gjërë politik. Gati të gjitha “karrotat” janë dhënë, dhe vështirë se ka mbetur ndonjë kokërr.

Komisioneri Hahn pohoi se:

Është vlerë thelbësore evropiane që idetë politike dhe propozimet—pavarësish nëse pëlqehen ose jo ato—diskutohen në institucionet demokratike, në mënyrë të veçantë në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit, të të gjitha krahëve politike.

Fatkeqësisht, kjo deklaratë është e pasaktë, edhe për vetë BE-në. Kudo nëpër Evropë, protestat e mëdha—për shembull në Greqi, Rumani dhe Poloni—janë bërë dukshëm mbartësit e vërtetë të vlerave demokratike, ndërsa “institucionet demokratike” janë të pafuqishme përkundrejt kërkesave të dy politikave shtrënguese supernacionale, interesave ndërkombëtare tregtare dhe burokratëve të pazgjedhur, përfshirë këtu edhe vetë Komisionerin e BE-së Hahn.

Ai e mbyll letrën e tij si më poshtë:

Të dashur qytetarë, kam besim të plotë se qytetarët shqiptarë do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të demonstrojnë përmbajtjen dhe maturinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE-së.

Me lejoni të jem i qartë: Udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

BE do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Dhe mbi të gjitha: ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Përpara kujt do të mbajnë përgjegjësi këta “udhëheqës”? Para qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë humbur çdo shpresë se udhëheqësit e tyre mund të tregojnë respekt apo përgjegjshmëri minimale?

Para burokratëve të BE-së, për të cilët procesi i zgjerimit është burim punësimi dhe të ardhurash? Apo para oligarkëve dhe bosëve të mafias, të cilët presin të kenë qasje të vazhdueshme dhe të pandërprerë në sistemin politik dhe burimet natyrore të vendit?

Hahn thotë se “BE do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor”. Unë jam i sigurtë se Kryeministri Edi Rama do t’i lejojë ata të monitorojnë procesin nga sa afër të duan. Madje vëzhguesit e OSBE-së mund të lejohen edhe t’i numërojnë vetë votat po të duan, sepse Rama është tërësisht i sigurtë se në zgjedhjet e 18 qershorit ai e ka shumicën absolute në xhep.

Shprehja “mbi të gjitha” në fund, e cila nënkupton se procesi i anëtarësimit në BE do të jetë një garanci për lirinë dhe ndershmërinë e “procesit zgjedhor”, është dhimbshëm e gabuar.

Anëtarësimi në BE është tërësisht antidemokratik për nga vetë natyra e tij, dhe ai asnjëherë nuk mund të sigurojë procedura dhe institucione të vërteta demokratike apo shtet të së drejtës.

Për aq sa BE—dhe Komisioneri i BE-së Johannes Hahn—nuk arrin ta kuptojë këtë, ai mund të shkruajë sa të dojë letra “serioze” të mbushura me “shqetësime të mëdha”, pa arritur asgjë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>