Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e prokurores Enkeleda Osmani (Xhengo) për shkak të mosjustifikimit të pasurisë.
KP argumenton se prokurorja Osmani nuk ka paguar të plota detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore për një pjesë të të ardhurave të deklaruara nga pagat e bashkëshortit.
Më tej KP shton se vlerësimi si i ligjshëm i të ardhurave të bashkëshortit të prokurores nga punësimi në privat është i pabazë dhe nuk reflekton jurispudencën e KPA.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve konfirmoi në detyrë prokuroren Osmani në korrik.
Enkeleda Osmani (Xhengo) ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon si prokurore në Prokurorinë e Durrësit prej gati 15 vitesh. Në vitin 2019, Osmani kandidoi për në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), por nuk arriti të përzgjidhej.