Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Metës miratoi të premten unanimisht raportin për shkarkimin e tij.
Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni u shpreh se presidenti përmes deklaratave, gjuhën e përdorur dhe paditë penale për vjedhjen e votave ka shkelur detyrimin kushtetues për paanshmëri politike.
Komisioni ka gjetur se Meta, gjatë fushës zgjedhore ka goditur një forcë politike në favor të një tjetre.
“Ai kishte kërkuar ndryshimin e qeverisë me referendum popullor. Ai zgjodhi të ishte protagonist. Ai mbajti qendrim të ashpër kundër shumicës. Ka kryer aktivitet politik duke kërkuar rënien e qeverisë,” tha Hyseni.
Komiteti administroi të gjitha deklaratat dhe daljet publike të Metës si dhe raportet e ekspertëve ligjor.
Ky komision u ngrit me kërkesë të 49 deputetëve socialistë, me justifikimin se Presidenti ka shkelur detyrimin e paanësisë të caktuar në Kushtetutë.
Kuvendi duhet të miratojë këtë raport me 94 vota për të vendosur shkarkimin e Presidentit.
Më pas, brenda 5 ditëve, ky vendim i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Është ajo që do të vendosi të shkarkojë ose jo, Presidentin Meta.