Komisioni i Ligjeve, më 3 korrik do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një Komisioni Hetimor për vlefshmërin e dekretit të Presidentit Meta, për anullimin e zgjedhjeve.
Që prej 10 qershorit, vendi nuk ka më një datë formale për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Presidenti Meta ka sqaruar për publikun se anullimi i zgjedhjeve më 30 qershor ka ndaluar përplasjen civile në vend, sepse zgjedhjet pa opozitën, “jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai e konsideroi zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën një dëm ndaj të ardhmes së vendit.
Ndërkohë, shumica socialiste dhe institucionet e kontrolluara prej saj nuk e njohin dekretin e Presidentit. Madje ata kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit dhe po vazhdojnë fushatën zgjedhore.