Komiteti i përkohshëm i ekspertëve të angazhuar për përballimin e epidemisë së Covid-19 deklaroi të martën se nuk e sheh të arsyeshme ndryshimin e strategjisë së testimeve.
Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e shtypit së Ministrisë së Shëndetësisë, Komiteti shprehet se rezultatet e deritanishme nuk japin arsye për “rikonsiderimin e strategjisë”:
“Përgjegjësia e Komitetit […] është që të zbatojë një strategji […] e cila synon të identifikojë rastet, të ndjekë dhe të ndërpresë zinxhitin e transmetimit të infeksionit.
[…] në kushtet e krijuara prej masave shtrënguese, puna hetimore në terren dhe rezultatet e saj, kanë qenë optimale deri në këto momente […] për këtë arsye, Komiteti nuk sheh asnjë arsye për të rikonsideruar planin.”
Komiteti shprehet se aktualisht epidemia është në kontroll dhe këtë e argumenton me faktin se “sistemi shëndetësor nuk gjendet në asnjë lloj presioni”.
Strategjia e testimit për Covid 19 bazohet në zbulimin e rasteve, ndjekjen dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit – strategji e rekomanduar kjo edhe nga Organizata Botërore e Shvndetësisë.
Opozita ka vënë në diskutim numrin e vogël të testimeve duke nxitur debat me qëllimin që autoritetet të testojnë më shumë qytetarë.
Rreth kësaj çështje ka pasur qëndrime të shumta, të cilat kanë përfshirë përveç Kryetarit të PD-së, Basha dhe Kryeministrit Rama edhe Presidentin Meta.
Komiteti i përkohshëm për infeksionin e Covid-19 u ngrit më 31 janar 2020. Si organ i raporton Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryesohet nga zëvendësministrja Mira Rakacolli dhe përbëhet nga 11 anëtarë të tjerë:
- Flutra Beqo, drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë
- Albana Fico, drejtoreshë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP)
- Silva Bino, drejtoreshë në ISHP
- Vjollca Braho, kryeinspektore e ISHP-së
- Najada Como, përgjegjëse shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT)
- Tritan Kalo, mjek infeksionist në QSUT
- Skënder Brataj, drejtor i Urgjencës Kombëtare
- Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetesor
- Andi Koraqi, përgjegjës shërbimi në QSUT
- Gjeorgjina Lito, infeksioniste pediatre në QSUT
- Narvina Sinani, drejtoreshë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore
Deri të martën, 7 prill, autoritetet shëndetësore kanë diagnostikuar 383 persona të infektuar me Covid-19, prej të cilëve 131 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.