Komiteti i Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan ka lëshuar një deklaratë për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.
Gregory W. Meeks dhe Michael McCaul, respektivisht kryetar dhe anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë bërë thirrje mazhorancës dhe opozitës që të respektojnë normat demokratike dhe të garantojnë votimin e qytetarëve pa presion nga blerja dhe manipulimi i votës.
“Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare në 25 Prill, ne i nxisim autoritetet shqiptare të sigurojnë që votuesit të jenë në gjendje të votojnë të lirë nga ryshfeti, frikësimi dhe dhuna. Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit – ata që janë aktualisht në detyrë si dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të prosperuar për popullin shqiptar. ”, shkruhet në reagimin e Komitetit për Punët e Jashtme në SHBA.
Reagimin e ndau në rrjetet sociale, ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila shkruan ndër të tjera se “Miqtë tuaj në Uashington janë me ju teksa votoni”.
Kjo deklaratë e dy anëtarëve të Kongresit vjen pasi një ditë më parë kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit Amerikan Bob Menendez dhe anëtari Jim Risch bën thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.