Kompania guackë Integrated Technology Services ka krijuar monopol të sektorit të mbetjeve

Nga Exit News
Kompania guackë Integrated Technology Services ka krijuar monopol të sektorit të mbetjeve

Landfilli i Vlorës do të ndërtohet me kredi nga banka gjermane KFW, dhe nga kompania shqiptare monopol në sektorin e mbetjeve, Intergrated Technology Service.

Integrated Technology Services ka fituar tenderin për ndërtimin e landfillit të Vlorës, me vlerë 9,8 milionë euro. Ajo duhet ta ndërtojë inceneratorin brenda 1 viti e gjysëm.

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen e Agjensisë Gjermane për Zhvillim, tenderi u mbyll më 8 gusht 2019, dhe fituesi, bashkimi i kompanive JV Bulfaro dhe Integrated Technology Services, u shpall në 12 qershor.

Ndërkohë nga insituticionet shqiptare nuk ka asnjë njoftim për kriteret e tenderit,  se cilat janë kompanitë që kanë marrë pjesë dhe cili institucion e ka përzgjedhur kompaninë fituese.

Për ndërtimin e landfillit dhe përpunimin e ujrave të zeza të Vlorës, qeveria ka marrë 21 milionë euro financim, një kredi me vlerë 12,5 milionë euro nga Banka Federale Gjermane (KFW), si dhe dy grante të jashtme me vlerë 7,5 dhe 1,3 milionë euro.

Njoftimi i Ministrisë së Financave, në 15 dhjetor 2016, shkruan:

“Landfilli do të ndërtohet në Sherrishtë të Vlorës me nje kapacitet prej rreth 350 mijë ton. Pjesë e investimit do të jetë ndërtimi i sistemit të mbledhjes së gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60,000 ton/vit, kapacitete kompostimi për mbetjet organike me kapacitet deri në 4,200 ton/vit.”

Qeveria miratoi në 28 shkurt 2020, lejen për ndërtimin e landfillit të Vlorës nga Bashkia Vlorë.

Integrated Technology, kompania monopol e mbetjeve në vend

Kompania Intergrated Technology Services është në pronësi të Klodian Zotos. Ajo ka monopolin e inceneratorëve dhe landfilleve në vend.

Qeveria Rama, që prej vitit 2014 e deri më tani, çdo një vit i ka dhënë kompanisë një kontratë koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve (impiant djegieje) të mbetjeve në vend. Kompania menaxhon landfillet dhe impiantet në qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Elbasan, dhe Fier.

Kjo kompani u shfaq për herë të parë në verën e vitit 2014, nën emrin Albtek Energy shpk dhe në pronësi të Stela Gugallës – për lidhjen mes Zotos dhe Gugallës, mund të lexoni këtu.

Disa javë pas themelimit, Albtek Energy u shpall ‘fituese’ e një gare pa konkurrentë, me vlerë rreth 22 milionë euro dhe nënshkroi me qeverinë kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan.

Ndërtimi i impiantit të djegjes së mbetjeve u miratua me negociim direkt, pa tender, me pretendimin se situata e plehrave në Elbasan ishte emergjente. Kompania menaxhon impiantin prej vitit 2015 e do të vazhdojë deri në vitin 2022.

Kapaciteti i incineratorit është për 120-140 tonë mbetje në ditë, kapacitet i mjaftueshëm për të djegur gjithë mbetjet e djegshme të qytetit të Elbasanit, madje dhe të qyteteve përreth.

Në gusht 2015, Albtek Energy dhe Integrated Technology u bashkuan në një të vetme.

Në datën një tetor 2015, ndonëse në seli të ndryshme, kompanitë njoftuan secila më vete çeljen e një adrese të dytë, që ndodhej çuditërisht në të njëjtin vend: “Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan”.

Tani me emrin Integrated Energy, kompania njësoj si në rastin e inceneratorit të Elbasanit i dërgoi qeverisë një letër, ku i kërkoi të ndërtonte një incenerator në Fier.

Më 30 nëntor 2016, kompania fitoi kontratën koncesionare për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit të Fierit, me kohëzgjatje prej 6 vjetësh dhe kosto totale të investimit prej 3.72 miliardë Lekë.

Një vit më vonë, në 31 gusht 2017, kompania, me të njëjtën procedurë mori kontratën për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit të Tiranë, me kohëzgjatje 30 vjet, nga 2007 deri në 2037 dhe me vlerë 17,4 miliardë lekë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>