Ministria e Financave ka vendosur që të kontraktojë me konçension ndërtimin e një sistemi elektronik që do transmetojë në kohë reale faturat fiskale që lëshojnë bizneset. Megjithatë, ministria nuk ka bërë publike asnjë dokument duke u mjaftuar vetëm me ca deklarata gojore të Ministrit Cani dhe zëvendëses së tij Beqiraj.
Mungesa totale e transparencës në lidhje me këtë vendim ka ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë apo paanshmërinë e tij.
Më poshtë janë vetëm disa nga pyetjet që Ministria duhet t’u japë përgjigje, për të sqaruar publikun në lidhje me këtë vendim që ka interes dhe rëndësi të madhe publike.
- Mbi çfarë analize vendosi Ministria e Financave të ndjekë formën konçensionare dhe jo prokurimin e thjeshtë për një shërbim apo produkt për të cilin deri më tash ka ndjekur në çdo rast formën e prokurimit?
- Cila është kompania kineze që ka bërë ofertën e pakërkuar: Cilët janë pronarët e saj? Cilat janë të ardhurat gjatë tre viteve të fundit? A ka zbatuar ndonjë projekt të tillë në të shkuarën? Kujt qeverie tjetër në botë i ka ofruar shërbime apo sisteme të ngjashme?
- Kush e ka bërë studimin e bëshmërisë sistemit që planifikon të instalojë Ministria, studim të cilit iu referua Zëvendës Ministrja Beqiraj? A ka qenë analiza kosto-përfitim pjesë e këtij studimi? A ka qenë vlerësimi teknik/teknologjik pjesë e këtij studimi? Pse nuk bëhet publik studimi i bëshmërisë?
- Në mënyrë më specifike, kush dhe me çfarë metodologjie i vlerësoi kostot e projektit, përfshi vlerësimin e një kostoje vjetore mirëmbajtje pothuajse 9 milionë euro?
- A konsideroi Ministria e Financave zgjidhje alternative përveç asaj të propozuar nga kompania kineze? A konsideroi qeveria përvojën e vendeve të tjera?
- Pse Ministria e Financave nuk zgjodhi opsionin e prezantimit gradual të kasave regjistuese mobile (mobile point of sale), por zgjodhi një sistem të tillë që modifikon në mënyrë mekanike kasat aktuale? A do detyrohen bizneset që të blejnë kasa të tilla në të ardhmen?
- Pse çdo përmirësim në mbledhje e TVSH-së në të ardhmen (pra rritja e të ardhurave të TVSH-së mbi mesataren vjetore në vitet e shkuara) i është atribuar konçesionarit të këtij sistemi? Pse Ministria e Financave e ka vlerësuar si zero efektin e luftës së qeverisë kundër informalitetit? Gjithashtu, pse e konsideron zero Ministria e Financave efektin e sistemit të ri elektronik, e-tax, që po realizohet me kredi austriake?
- Pse qeveria ka vendosur të përqëndrohet tek TVSH-ja ndërkohë që kjo është taksa që mblidhet më me sukses? Pse qeveria nuk ka prioritet mbledhjen e taksës mbi të ardhurat personale, taksës së kompanive dhe taksës mbi pronën të cilat janë taksat më problematike në mbledhje (pa nënvlerësuar efektet që kontrolli mbi TVSH-në ka në mbledhjen e këtyre taksave të tjera)?
- Sa vjet ka parashikuar Ministria e Financave ta zhvillojë llotarinë e kuponit tatimor? Për të paktën 10 vjet? A nuk duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera që e kanë përdorur për 1-2 vjet si element vetëdijësimi dhe motivimi?