Koncesionari i Check-up-it përfiton miliona euro pa kryer punën

Koncesionari i Check-up-it përfiton miliona euro pa kryer punën

Kompania koncesionare e kontrollit shëndetësor (check-up) vazhdon të përfitojë para pa kryer punën, për të tretin vit radhazi.

Për vitin 2017, kompania koncesionare 3P Life Logistic u pagua për 445 mijë kontrolle shëndetësore siç parashikohet në kontratë, por realisht vetëm 316,601 kontrolle janë kryer nga qytetarët, pra vetëm 71 për qind.

Kështu për 128,399 kontrolle shëndetësore, ose 29 për qind, kompania u pagua pa bërë de facto asnjë kontroll.

Këto të dhëna janë bërë publike nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Kompania 3P Life Logistic përfitoi nga buxheti i shtetit 876 milionë lekë (rreth 6,5 milionë euro) gjatë vitit 2017. Bazuar në kontratën mes qeverisë dhe kompanisë, çmimi i një kontrolli shëndetësor është 1537 lekë. Kështu për 316,601 kontrolle që janë kryer realisht, kompania duhet të kishte përfituar vetëm 486 milionë lekë (3,6 milionë euro). Pra 2,9 milionë euro kompania koncesionare i ka përfituar pa bërë asnjë shërbim për qytetarët.

Edhe për vitet 2016-2015, kompania koncesionare ka përfituar miliona euro pa dhënë shërbime për qytetarët. Kjo pasi në kontratën mes qeverisë dhe kompanisë është vendosur që kompania do të paguhet për 445 mijë kontrolle çdo vit, edhe sikur asnjë prej këtyre kontrolleve të mos kryhet realisht.

3P Life Logistic, kompania e themeluar për mbarëvajtjen e koncesionit që mbaron në vitin 2024, është një bashkim kompanish, ku  nga kompania Marketing & Distribution zotëron 80 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Trimed 20 për qind.

Marketing& Distribution është kompani 100 për qind në pronësi të Vilma Nushit, ndërsa Trimed zotërohet në pjesë të barabarta nga Nushi dhe Shani Peposhi.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>