Konfirmohet hetimi i OLAF për ambasadoren Romana Vlahutin

Konfirmohet hetimi i OLAF për ambasadoren Romana Vlahutin

Burime nga Brukseli konfirmuan për Exit.al se lajmi i pakonfirmuar zyrtarisht për hetimin e ambasadores së BE-së Romana Vlahutin nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është në fakt i vërtetë.

OLAF është institucioni i pavarur i BE-së i ngarkaur me hetimin e mashtrimeve dhe abuzimeve me buxhetin e BE-së, korrupsionin e funskionarëve dhe sjelljet e paligjshme në të gjitha institucionet e BE-së.

Dyshimet e para në lidhje me një hetim të mundshëm të OLAF u bënë publike në shkurt 2017, kur Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u takua me drejtorin e OLAF Giovanni Kessler në Bruksel.

Megjithëse arsyeja e hetimit është e paqartë, mendohet se ai mund të jetë i lidhur me blerjen e vilës së Ambasadores së BE-së në rezidencën luksoze Rolling Hills në Tiranë.

Exit.al  vazhdon të ndjekë hetimin për këtë çështje. Ne kemi paraqitur një kërkesë pranë Avokatit të Popullit të BE-së për të pasur akses në dokumentat e plota të paraqitura nga Zyra e BE-së në Tiranë lidhur me blerjen e vilës 1,6 milion euro. Ndërsa, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) ka refuzuar t’i japë Exit.al këto dokumente, duke cituar “interesa komerciale”.

Procedurat për blerjen e vilës ka ngjallur interesin e Komitetit të Kontrollit të Buxhetit të Parlamentit Evropian, me Kryetare Ingeborg Gräßle. Kjo e fundit i ka drejtuar një sërë pyetjesh EEAS-së lidhur me blerjen e vilës.

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijančič ka hedhur poshtë akuzat për një mashtrim të mundshëm, duke i quajtur ato “trillime”. Ndërsa vetë ambasadorja Vlahutin i ka quajtur ata që e kanë akuzuar “grupe me interesa kriminale” që nxisin “lajme të rreme”.

Duke pasur parasysh historinë e ambasadores Vlahutin për fshehjen e pasurisë në Kroaci dhe duke ditur historinë e keqadministrimit të fondeve të Delegacionit të BE-së në të kaluarën në Shqipëri, është e drejta e qytetarëve të BE-së dhe Shqipërisë që të njohin të vërtetën për këtë blerje të diskutueshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>