Kortezhi i hipokritëve

Nga Alba Mborja
Kortezhi i hipokritëve

Sot, në orën 3 të pasdites, përpara Pallatit të Kongreseve u vu në skenë, përpara një vargu kamerash, një manifestim i çuditshëm, i cili zaptoi vëmendjen e disa kalimtarëve.

Djem e vajza të reja, të veshur shumë mirë, mbanin në duar tullumbace të pazakontë, të zinj dhe pankarta të shtypura bukur me logon e Ministrisë së Financave dhe me mbishkrimin “Kërkoni kuponin tatimor”.

Në mënyrë origjinale, një manifestuese mbante në daur një pankartë me logon shumëngjyrëshe të një supermarketi.

Gati një mijë personat parakaluan ngadalë, duke i shkuar nga pas një grupi të vogël drejtues: në mes të grupit, binte në sy, veshur me një pardesy ngjyrë qumështi, Presidentja e Bashkimit të Dhomave Shqiptare të Tregtisë, Ines Muçostepa.

Kur kreu i kortezhit arriti përpara Pallatit të Kongreseve, për ta pritur atë, zonjën elegante Ines, ndodhej Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Intesa San Paolo Silvio Pedrazzi.

Ndërsa filluan fjalimet e rastit nga oratorë që përpiqeshin t’i shpjegonin turmës se informaliteti ekonomik është dëm për shoqërinë, një shikim i shpejtë i fytyrave të manifestuesve të linte të kuptoje se ata ishin të gjithë nënpunës publikë, ose punonjës të kompanive të mëdha tregtare, apo kompanive private përfituese të mëdha koncesionesh dhe favoresh qeveritare, të ardhur aty, ndoshta jo me vullnet të lirë, për t’i dhënë jetë shfaqjes publike të aksionit qeveritar kundër informalitetit në ekonomi.

Nën dritën e këtij fakti, skena merr një domethënie të qartë dhe tejet groteske: një grumbullim personash të cilët paguhen falë taksave tona, të drejtuar nga personi i caktuar nga qeveria për të përfaqësuar “me detyrim” të gjitha sipërmarrjet shqiptare, po manifestonte për t’u siguruar pronarëve të tyre fondet e nevojshme publike për t’u paguar atyre rrogat.

Pra, nënpunësit e oligarkëve koncesionarë, të drejtuar nga përfaqësuesja e oligarkëve koncesionarë pranë qeverisë, manifestuan kundër shitësve të vegjël, duke i akuzuar tërthorazi se nuk paguajnë taksa, por qëllimi i vërtet ishte se po manifestonin për të garantuar rrogat e tyre.

Nuk ishte e qartë se cila ishte “pjesa” e Drejtorit të Përgjithshëm të Bankës Intesa San Paolo, ndoshta i pranishëm aty si presidenti i FIIA-së, shoqatës së koncesionarëve të huaj, edhe ata të interesuar që shteti të ketë mjaftueshëm para për të paguar faturat e tyre.

Ata që mungonin, në manifestimin më elegant punëtor të 100 viteve të fundit, ishin ata që taksat i paguajnë edhe pse përpiqen t’i shmangin, pra, populli i thjeshtë, ai që punon për më pak se sa 300 euro në muaj dhe që duhet të paguajë bakshish për të pasur shëndetësi “falas”; ai që rojet e shkollës publike të fëmijëve i paguan nga xhepi i tij; ai që për të ngrohur fëmijët e lidh energjinë elektrike vetë dhe përfundon në burg; ai që duhet të durojë fyerje dhe radhë të gjata çdo ditë që i duhet të trokasë në një zyrë publike; ai që blen fasule me shumicë në treg, sepse nuk mund t’i lejojë vetes të bëjë pazar nëpër qendrat tregtare; ai që shkon në punë i shtypur në autobuzat e oligarkëve, ndërkohë që shumë nga manifestuesit e sotëm shkojnë në zyrë me fuoristrada të reja, të cilat i parkojnë në vende të rezervuara për ministrat; ai që kur shkon të votojë zbulon se të tjerët tashmë kanë vendosur në emër të tij.

Në fakt shumë prej tyre kanë një kioskë të vogël, një dyqan të vogël, një lokal të vogël në periferi, dhe jetojnë të terrorizuar nga vizitat e punonjësve tatimorë, apo nga konkurenca e biznesit të madh, nga ai që manifeston kundër informalitetit pasi merr koncesione milionëshe nga shteti.

Një mendësi e vjetër politike e shkollës së diktaturave e shtyn qeverinë të dërgojë njerëz në shesh për të legjitimuar një veprim politik tashmë të vendosur, por gjëja më groteske është që kësaj here palët janë qeveria dhe koncesionarët kundër popullit ose, duke e parë problemin nga këndvështrimi i fluksit të kasës, ato që paguajnë kundër atyre që marrin.

Kjo po që është bashkëqeverisje e shkuar bashkëqeverisjes me popullin!

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>