Një ditë pasi Kosova nuk mundi të anëtarësohej në INTERPOL si pasojë e fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit, qeveria kosovare ka vendosur të dyfishojë taksat ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Sot qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës me 100% për mallrat dhe produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Proprozimi u bë nga ministri i Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala dhe u miratua menjëherë në mbledhjen e qeverisë.
Menjëherë pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj e njoftoi lajmin përmes një statusi në facebook.
Dy javë më parë, më 6 nëntor, qeveria e Kosovës vendosi që t’u verë taksa shtesë në masën 10 për qind produkteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, si një kundërpërgjigje ndaj “fushatës së egër të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
Zëvëndëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj u shpreh se kjo masë ekonomike u mor pasi Serbia po lobon kundër Kosovës tek ndërkombëtarët, me paratë e fituara nga tregtimi i mallrave në Kosovë.
Të dhënat e Odës Ekonomike të Kosovës tregojnë se Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit.
Vendimi i 6 nëntorit u kundërshtua nga Bashkimi Europian, i cili e cilësoi masën e Kosovës si “shkelje e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes së CEFTA-s”.
Ndërkohë që për vendimin e sotëm nuk ka ende asnjë reagim nga ndërkomëbtarët.