
Kryeministri i Kosovës ka thënë të dielën se qeveria do të marrë vaksina për 20% të popullsisë.
“Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to”, ka dekalruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.
Institucionet e Kosovës janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit, ka pohuar Hoti.
“Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, ka thënë Hoti.
Kryeministri ka thënë se institucionet po punojnë shumë për sigurimin e vaksinës kundër koronavirusit.
Vaksinat kërkojnë kushte të veçanta të transportit dhe ruajtjes. Përshembull vaksina e kompanisë Pfizer e cila është miratuar për përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe disa vende tjera, kërkon kushte të mbajtjes në temperaturë -70 gradë Celsius.
“Instituti ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, krahas punëtorëve shëndetësorë të cilët janë në ballë të kësaj beteje”, ka pohuar Hoti.