Më shumë se 80 për qind e shtretërve në gjithë spitalet rajonale të Kosovës janë të zënë, duke lënë më pak se 20 për qind të lirë për pacientët me koronavirus në javët në vijim.
Kryeministri i Kosovës Hoti, pas takimit me ekspertët, ka vënë alarmin se në gjithë vendin ka vetëm 130 shtretër të lirë nga 700 në total nëpër spitale për pacientët me Covid-19.
Ai tha se institucionet po mundohen të krijojnë kapacitete të reja duke kthyer disa prej klinikave të specializuara për sëmundje të tjera në spitale Covidi:
“Ne po bëjmë të pamundurën brenda shërbimit spitalor për të krijuar kapacitete shtesë për të parandaluar situatën ku nuk kemi ku t’i shtrijmë njerëzit që kërkojnë të shtrihen në spital.”
Për shkak të situatës së vështirë, kryeministri i bëri apel qytetarëve që të mbajnë maska mbrojtëse, të respektojnë distancimin social dhe të ruajnë higjienën personale, si masat e vetme që mund të ulin numrin e të infektuarve dhe të të shtruarve në spitale.
Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë janë zbuluar 237 pacientë me Covid-19.
Në total, në Kosovë ka ende 2 995 pacientë aktivë, ku pjesa më e madhe janë në Prishtinë.