Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen në Kosovë të Petar Petkoviçit, drejtor i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla njoftoi, të enjten, se ka refuzuar kërkesën e Petkoviçit për vizitë në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj-Stublla njoftoi se ndalimi i vizitës është bërë si reagim ndaj veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës kohët e fundit:
“Përderisa Serbia vazhdon të sillet në mënyrë destruktive,
Duke vazhduar shkeljet e maltretimet me arrestime arbitrare e mbajtje ilegale të qytetarëve të Kosovës (i fundit javën e kaluar!);
Duke përdorur rrugë të paligjshme dhe klandestine për të futur ‘vaksina’ të dyshimta në Kosovë me qëllim rrezikimin e sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik;
Duke rritur provokimet, kërcënimet, sjelljet e ulëta, dhe lojërat e ndyra që po sjellin pasiguri dhe destabilizim në rajon e më gjerë!
Andaj, le të qëndrojnë larg Kosovës!”
Ndërsa zyrtari serb deklaroi se ai ka pasur në plan të vizitojë zonat e përmbytura në zonat serbe.
Petkoviç e quajti veprimin e qeverisë së Kosovës si ‘marketing’ për fushatën zgjedhore:
“Veprimet e politikanëve shqiptarë tregojnë se marketingu politik është më i rëndësishëm për ta sesa jeta dhe siguria e njerëzve.”
Ai premtoi se ndihma e qeverisë serbe do të arrijë tek familjet e përmbytura me çdo kusht.