Në Kosovë do të shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor për shkak të përkeqsimit të situatës së pandemisë.
Arsimi parauniversitar pritet të nisë jo më datë 1 por në 13 shtator, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi njoftoi vendimin e qeverisë për Radio Evropa e Lirë pas një takimi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Përveç shtyrjes së nisjes së vitit shkollor, Kosova do të rikthejë disa masa për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Fillimi i vitit të ri shkollor, sipas ligjeve në fuqi, në Kosovë nis më 1 shtator.
Masat e paralajmëruara janë:
- Orë policore nga 22:00 deri në 05:00
- Lokalet dhe restorantet do lejohen të qëndrojnë hapur deri në orën 21:30 duke funksionuar vetëm me hapësirat e jashtme me vetëm 70 përqind të kapacitetit.
- Në qendrat tregtare restorantet nuk do të funksionojnë.
- Sallat e dasmave, klubet e natës dhe kinematë do të qëndrojnë plotësisht të mbyllura.
Ibrahimi tregoi se përfaqësues të komunave kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të shtohen inspektimet dhe të ketë më shumë qendra vaksinimi.
16 persona humbën jetën në Kosovë në 24 orët e fundit nga COVID-19 ndërsa u regjistruan edhe 2098 raste të reja.
Aktualisht janë rreth 25 mijë të infektuar dhe mbi 1 mijë të shtruar në spitale, prej të cilëve 55 në gjendje të rëndë.