Kosovë, 20 400 vota të diasporës të pavlefshme

Nga Exit News
Kosovë, 20 400 vota të diasporës të pavlefshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nxjerrë të pavlefshme rreth 20 mijë e 400 zarfe me fletëvotime të diasporës, raporton REL.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të shtunën njoftoi se rreth 53 mijë e 600 zarfe të ardhura nga jashtë për zgjedhjet e 14 shkurtit janë të rregullta.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen në Qendrën për Numërim dhe Rezultate”, tha Elezi.

KQZ-ja, shtoi Elezi, do të nisë të dielën numërimin e 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Ai tha se pas numërimit të votave me kusht, do të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës.

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, ndërkaq po vazhdon rinumërimi i 552 vendvotime. Deri më tani, sipas KQZ-së janë numëruar 88 për qind e këtyre vendvotimeve dhe ky proces pritet të përmbyllet më vonë gjatë ditës së shtunë.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur mbi 1.7 milion qytetarë të Kosovës.

Sipas të dhënave preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>